Shkencëtarët ia japin lamtumirën akullnajës së parë të shkrirë në Islandë

  • 19 gusht 2019 - 09:13
Shkencëtarët ia japin lamtumirën akullnajës së parë të shkrirë në Islandë

Disa shkencëtarë kanë thënë se ia kanë dhënë lamtumirën një akullnaje që tashmë është zhdukur plotësisht në Islandë si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Hulumtuesit do të mblidhen të dielën në Borgarfjordur të Islandës për ta përkujtuar akullnajën Ojkokull, e njohur me emrin e shkurtër Ok, pasi e humbi statusin e akullnajës në vitin 2014.

Në një pllakë përkujtimore, ata kanë shkruar: “Ok është akullnaja e parë islandeze që e ka humbur statusin e akullnajës. Në 200 vjetët e ardhshëm, të gjitha akullnajat tona pritet të përfundojnë në të njëjtën mënyrë. Ky monument dëshmon se ne e dimë çfarë po ndodh dhe e dimë çfarë duhet të bëhet. Vetëm ju do ta dini nëse e kemi bërë atë apo jo”. Ky mbishkrim është shkruar në gjuhët islandeze dhe angleze.

FOTO GALERI

Nga shtresat e akullit në Grenlandë deri në akullnajat e larta në pjesën perëndimore të Antarktikut, masa e akullit është duke u shkrirë shpejt. Ndonëse niveli i detit ka ndryshuar gjatë historisë, shkencëtarët thonë se një dukuri e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur në nivelin e sotëm.

Gjeologët thonë se planeti ynë do të përballet me shumë rreziqe, nëse akulli vazhdon të shkrihet me këtë shpejtësi. Për shembull, rreth 2 miliardë njerëz mund të detyrohen të zhvendosen nga vendbanimet e tyre deri në vitin 2100 për shkak të rritjes së nivelit të oqeaneve, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)