Përbindëshit e vërtetë të 'Hallowen-it'

  • 08 September 2019 - 14:50
Përbindëshit e vërtetë të 'Hallowen-it'

Drakula / vampirët Personifikimi i vampirëve, Drakula, vjen nga libri i shkrimtarit Bram Stoker, të publikuar në vitin 1897, si dhe nga shfaqjet teatrore dhe filmat e bazuar në këtë libër. Kërkuesi Raymond McNally ka konstatuar se personazhi i librit ishte bazuar në personin historik, pra real, Vlad III Dracula nga Uallahia (1431-1476), një princ, i cili jetonte në Transilvani, në Karpatet e Rumanisë. Ai ishte i njohur për faktin se kishte mbytur rreth 100.000 armiq të tij, kryesisht duke i ngulur në hu. Emri Drakula vjen nga fjalët rumune, të cilat d.m.th. “dreq”, apo “dragua”. Por, legjenda e vampirëve është edhe më e vjetër. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë disa njerëz që e quajnë veten vampirë.

Mumia Imazhi mbizotërues i Mumies, si një përbindësh po ashtu vjen nga filmat, kryesisht nga filmi i vitit 1932, “The Mummy”, ku rolin kryesor e luante Boris Karloff. E, vetë filmi ishte frymëzuar nga gjetjet sensacionale të mumieve egjiptiane në fillim të viteve 1920. Një arkeolog i ri anglez, me emrin Howard Carter, besonte se, të paktën varri i një faraoni egjiptian gjendej i paprekur nën rërën shkëlqyese të Egjiptit – varri i mbretit Tutankhamen. Carter e kërkoi këtë varr me vite, por pa sukses. Më pas ai varr u zbulua më 4 nëntor të vitit 1922, me tërë arin dhe stolitë e tij. Por, zbulimi i tij duket se solli disa mallkime. Ditën e zbulimit të mumies, kanarinën e Carter-it, të cilën ai e mbante për fat, e kishte ngrënë gjarpri. Disa muaj më vonë mbështetësi financiar i Carter-it vdiq nga pickimi i një insekti. Deri në vitin 1929 kishin vdekur gjithsej 11 njerëz që kishin lidhje me këtë zbulim.

Shtrigat E, çka do të ishte “Halloween”-i pa shtriga? Shtrigat dhe magjia janë të vjetra të paktën që nga koha e grekëve dhe romakëve të lashtë. Edhe atëherë bëhej dallimi midis magjisë së bardhë dhe magjisë së zezë. Me lindjen e krishterimit, magjia gjithnjë e më shumë filloi të shihej si punë e pasuesve të djallit. Më pas erdhi edhe deri te gjuetia në shtriga, me ç’rast u vranë me mijëra gra, vetëm për shkak të besimit se ato ishin shtriga. Asocimi i shtrigave dhe magjisë me të keqen u pasqyrua edhe në “Halloween”, i cili i paraqet shtrigat si personazhe të shëmtuara. Kohët e fundit në Perëndim njerëzit janë duke iu kthyer edhe një herë paganizmit, duke e quajtur veten shtrigë dhe shtrigan. Por, njerëzit e tillë nuk e kanë asnjë fuqi magjike. 

(Kosova Sot Online)