Trungjet dhe fantazmat

  • 15 November 2019 - 15:02
Trungjet dhe fantazmat

Gjashtë trungje të holla, një trung i trashë dhe disa fantazma.

Shumë kohë më parë, në fillim të vitit 1900, në periferi të qytetit shqiptar të Ulqinit, respektivisht në fshatin Salç, jetonin disa banorë, të cilët bënin një jetë tejet të thjeshtë. Solstici dimëror sapo kishte kaluar dhe ishte Nata e Kërshëndellave. Tradita lokale kërkonte që, Natën e Kërshëndellave, një anëtar i familjes duhej të shkonte në mal dhe të merrte shtatë trungje, në mënyrë që familja më pas t'i përdorte ata për t'i djegur në oxhak.

Njëri nga shtatë trungjet duhej të ishte më i trashë sesa gjashtë të tjerët, të cilët, si rrjedhim, ishin më të hollë. Ndodhia e Gjergjit Ishte një fshatar me emrin Gjergj. Gjergji ishte duke qëndruar afër oxhakut të shtëpisë së tij, kur gruaja iu drejtua me fjalët: "Më mirë dil e merri trungjet. Thuajse kemi mbetur pa dru fare". Gjergji u ngrit dhe e veshi pallton e tij. Gruaja ia përkujtoi: "Mos harro, gjashtë trungje të holla dhe një më të trashë". Gjergji iu përgjigj disi me monotoni:"Po, de. E di"! Gjergji doli jashtë dhe pa se dielli ishte duke perënduar, kështu që u kthye për ta marrë një fanar.

Pasi që e mori fanarin, ai ia mësyu malit. Sapo hyri në mal, ai pa se nuk kishte çare pa e ndez fanarin, meqë errësira tanimë kishte filluar të mbretëronte. Derisa Gjergji hynte gjithnjë e më thellë në mal, ai filloi në ndërkohë që t'i mblidhte trungjet. Ai arriti që të mblidhte gjashtë trungje dhe shihte degë gjithandej nëpër tokë, por nuk i merrte ato, meqë nuk ishin të trasha. Gjergji vazhdoi që të kërkonte, por më kot. Nuk mund ta gjente trungun e duhur. Trungu i trashë, dardhë me bisht Atij i mungonte vetëm edhe një trung, që të mund të kthehej në shtëpi. Gjergji vazhdonte që të përsëriste në vete: "E tëra që më duhet është një trung i mallkuar". Frustrimi i tij sa vinte e shtohej, meqë ende nuk e kishte gjetur trungun e duhur. Ai kishte hyrë më shumë se katër kilometra thellë në mal.

Kur terri u bë me të vërtetë i fortë dhe shikimi i tij filloi të dobësohej, Gjergji filloi të hamendej se a duhej të vazhdonte me kërkimin, apo thjesht të kthehej në shtëpi. Ai filloi që të ecte gjithnjë e më ngadalë, por pas çdo hapi që hidhte, lodhja e tij bëhej më e madhe. Temperatura filloi të binte, derisa dëbora ia vështirësonte ecjen. Gjergji vazhdoi të kërkonte derisa pa atë që dujke një trung, edhe atë trung i trashë, bile. Në fytyrën e tij u paraqit një buzëqeshje. Fantazmat Gjergji filloi me shpejtësi që të ecte në drejtim të trungut, por derisa ai i afrohej atij filloi ta shihte një figurë të bardhë që rrinte pezull mbi trung. Në fillim ai nuk i kushtoi rëndësi të madhe asaj, meqë mendoi se kishin filluar t'i shtireshin gjërat, si pasojë e lodhjes së madhe.

Por, kur u afrua te trungu dhe tentoi ta merrte atë, shumë figura të tjera, po ashtu të bardha, u paraqitën dhe filluan që të lëshonin zëra rënkues. Gjergji u shtang nga frika. Ai nuk mundej as të bërtiste, as të bënte gjë tjetër. Ai vetëm ua kishte ngulur sytë figurave të bardha. Gjergji më pas e mori veten dhe kuptoi se ishte duke qëndruar sy më sy me fantazma. Në atë moment ai bërtiti dhe i gjuajti trungjet e tjera në tokë, e vet filloi të ikte me vrap. Ai vrapoi, e vrapoi, derisa i ra të fikët nga lodhja...

(Kosova Sot Online)