Misteri i tmerrshëm i djegies spontane të njerëzve

  • 21 November 2019 - 14:48
Misteri i tmerrshëm i djegies spontane të njerëzve

Edhe pse trupi i njeriut në teori përmban aq shumë energji, sa që të mund ta shkaktojë një zjarr, në rrethana normale trupi nuk merr flakë vetvetiu. Por, në rrethana të veçanta, duket se po.

Historia e djegies spontane të njerëzve

Shumë njerëz besojnë se dëshmitë e para të shkruara të kësaj dukurie gjenden në Bibël. Sido që të jetë, gjatë 300 vjetëve të fundit ka pasur më shumë se 200 raste të raportuara të njerëzve që kanë marrë flakë pa asnjë arsye të jashtme.

Rasti i parë më i besueshëm duket të jetë ai i vitit 1673, kur francezi Jonas Dupont publikoi një koleksion të rasteve të djegieve spontane të njerëzve, me titull “De Incendiis Corporis Humani Spontaneis”. Dupont ishte frymëzuar që ta shkruante këtë libër pasi që kishte hasur në rastin e Nicole Millet, në të cilin një burrë ishte liruar nga akuzat për vrasjen e gruas së tij, pasi që gjyqi kishte vendosur se gruaja ishte djegur vetvetiu.

Më pas, më 9 prill të vitit 1744, Grace Pett, 60 vjeçe, një alkooliste që banonte në Ipsviç të Anglisë, ishte gjetur e tëra e bërë hi, derisa nuk shihej asnjë flakë e haptë. Rrobat që kishin qenë afër saj kishin mbetur të padëmtuara.

Në vitin1852, shkrimtari i famshëm Charles Dickens kishte përdorë djegien spontane për ta vrarë një personazh të tij, të quajtur Krook, në librin e tij, “Shtëpia e zymtë”. Edhe ai ishte alkoolist i madh.

Është interesant rasti i vitit 1944 i njëfarë Peter Jones-it, i cili mbijetoi nga djegia spontane dhe, më pas, tregoi se nuk kishte ndier kurrfarë nxehtësie, e as që kishte parë flakë. Ai kishte parë vetëm tym. Po ashtu, nuk kishte ndier kurrfarë dhembjeje.

Teoritë që mundohen ta shpjegojnë këtë fenomen

– Alkoolizmi – shumë viktima të djegies spontane ishin alkoolistë. Por, eksperimentet e bëra në shekullin XIX treguan se mishi i zhytur në alkool nuk digjet me të njëjtin intensitet sikur që është intensiteti që shihet te djegiet spontane.

– Shtresimi i dhjamit të djegshëm në trup – shumë nga viktimat ishin me mbipeshë – por ka pasur edhe thatanikë.

– Intervenimi hyjnor – gjatë shekujve të kaluar, djegia spontane e njerëzve shihej si formë e ndëshkimit nga Zoti.

– Grumbullimi i elektricitetit statik – shkenca nuk njeh asnjë formë të zbrazjes së elektricitetit statik e cila do të ndikonte që të digjej ndonjë njeri.

– Ndonjë kombinim shpërthyes i substancave që mund të krijohet në sistemin e organeve të tretjes – nuk është dokumentuar kurrë në praktikë.

– Lidhjet e shkurtra të fushave elektrike të trupit të njeriut.

Përkundër këtyre tentimeve për ta ofruar një shpjegim të arsyeshëm, kjo dukuri vazhdon që të mbetet një mister i frikshëm.

Disa hollësi të tjera

– Trupi i njeriut të përfshirë nga djegia spontane është më shumë i djegur, sesa trupi i atyre që digjen në zjarr të rëndomtë.

– Djegiet nuk janë njësoj të shpërndara në trup. Zakonisht ekstremitetet nuk preken nga zjarri, derisa trupi (trungu) rëndom digjet i tëri.

– Digjen vetëm objektet që kanë qenë në kontakt direkt me trupin. Zjarri asnjëherë nuk përhapet në objektet përreth.

– Që të gjitha rastet e djegies spontane të njerëzve kanë ndodhur në ambient të brendshëm.

– Personat ishin vetëm për një periudhë të konsiderueshme kohore.


(Kosova Sot Online)