Fati me të vërtetë mund të jetë i shkruar në yje

  • 18 January 2020 - 15:06
Fati me të vërtetë mund të jetë i shkruar në yje

Fati juaj me të vërtetë mund të jetë i shkruar në yje, apo, të paktën, në Diell. Në një studim jo të rëndomtë, shkencëtarët norvegjezë kanë ardhur deri te përfundimi se njerëzit që kanë lindur gjatë periudhave të qetësisë së Diellit mund të jetojnë deri në rreth pesë vjet më gjatë sesa ata që kanë lindur derisa Dielli është më aktiv. Aktiviteti i Diellit Shkencëtarët thonë se aktiviteti më i lartë i Diellit sjell nivele më të larta të rrezeve ultraviolete në Tokë, gjë që mund ta rritë mortalitetin e të sapolindurve, duke zbërthyer acidin folik, apo vitaminën B9. Që të dy këto substanca janë esenciale për ndarjen e shpejtë të qelizave dhe për rritjen që ndodh gjatë shtatzënësisë. Konkluzioni bizar ishte arritur, pasi që ekipi i shkencëtarëve kishin analizuar të dhënat demografike të norvegjezëve të lindur midis viteve 1676 dhe 1878, duke i krahasuar ato me vështrimet e aktivitetit të diellit. Jetëgjatësia e atyre që kishin lindur në periudhat e aktivitetit maksimal të Diellit, ishte për 5,2 vjet më e shkurtër sesa jetëgjatësia e atyre që kishin lindur gjatë aktivitetit minimal të Diellit. Studimi thotë se ky ndikim ishte më i fortë te vajzat, sesa te djemtë.

Dielli ka cikle, të cilat zgjasin përafërsisht 11 vjet nga njëra periudhë e aktivitetit maksimal, deri te periudha tjetër. Toka aktualisht gjendet në ciklin e 24-të solar të saj dhe, përkundër asaj se do të duhej të ishim në një periudhë të aktivitetit maksimal të Diellit, Dielli është duke përjetuar njërën prej periudhave më të qeta në kohët e fundit. Ku bazohet studimi Ekipi i shkencëtarëve, nga Universiteti norvegjez i shkencës dhe teknologjisë, e bazoi studimin e tij në të dhënat demografike nga dokumentet kishtare të rreth 8,600 personave me prejardhje të ndryshme. "Për herë të parë tregojmë se jo vetëm mbijetimi i të sapolindurve dhe, me këtë edhe jetëgjatësia, por edhe fertiliteti statistikisht lidhet me aktivitetin diellor në momentin e lindjes", shkruajnë autorët e studimit. Nuk është e qartë a mund të flitet për një ndikim të tillë edhe kur flitet për jetëgjatësinë e njerëzve të ditëve tona. Autorët e studimit thonë se duhen të bëhen studime shtesë, për të parë se a vlejnë këto të dhëna për të gjithë njerëzit e racave të ndryshme dhe për ata që jetojnë në lartësi të ndryshme mbidetare. Autorët thonë se ky është studimi i parë që e vë theksin te rëndësia e rrezatimit ultravjollcë në fillim të jetës. Rrezatimi ultraviolet është stresues global me ndikim potencial ekologjik dhe nivelet e tij pritet se do të rriten në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ndryshimeve të nivelit të ozonit. 


(Kosova Sot Online)