Incizohet fantazma që po terrorizon një shkollë të mesme në Ajdaho të SHBA-së

  • 21 February 2020 - 15:54
Incizohet fantazma që po terrorizon një shkollë të mesme në Ajdaho të SHBA-së

Gjatë kohës së pushimit në mes të orëve, korridoret e shkollës së mesme "Pocatello" në Ajdaho të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gumëzhijnë nga nxënësit dhe studentët, të cilët i ndërrojnë klasat për të mbajtur orët e tjera mësimore.

Kur nxënësit dhe stafi i shkollës kishin shkuar në pushim dimëror, ndërtesa kishte mbetur "e braktisur". Megjithatë, dukej se jo të gjithë e kishin lënë shkollën.

Incizimi i fantazmës

Pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë, që janë shikuar më vonë nga stafi i shkollës, ta fusin frikën në palcë, pasi që, gjatë kohës kur asnjë njëri nuk ishte në shkollë, dritat fikeshin dhe ndizeshin.

Gjithsesi, pjesa më e frikshme është kur në video shihet një figurë në formë hije, e cila del nga njëra prej dyerve të brendshme të shkollës.

Figura në fjalë sorollatet nëpër korridor, para se të futet në derën nga ku kishte dalë paraprakisht. Skeptikët kanë thënë që, përkundër faktit që figura shihet tek lëviz, mund të ketë qenë thjesht papastërti në thjerrëzën e kamerës.

Historitë paraprake

Megjithatë, shkolla ka një histori të bujshme të ngjarjeve të dyshimta. Në të kaluarën, nxënësit dhe mësuesit që punojnë në këtë shkollë kishin raportuar se kanë dëgjuar zëra dhe pëshpërima të çuditshme, të cilat nuk kanë arritur t'i identifikojnë.

Disa nxënës kanë refuzuar që të qëndrojnë në njërën prej sallave të shkollës, pasi që kohë pas kohe në atë sallë mund të shihet një hije e madhe, e cila endej nëpër të. Madje, shfaqjet e figurave misterioze dhe dëgjimi i zërave të çuditshëm kishin bërë që në shkollë të ftoheshin edhe ekipet e hulumtuesve paranormalë.

Ky ekip, i cili për ditë të tëra kishte gjurmuar nëpër shkollë, kishte ardhur në përfundim që në objektet e shkollës kishin vdekur gjashtë persona. Stafi më pas kishte bërë të ditur që shkolla ishte djegur tërësisht në vitin 1914, para se të restaurohej në vitin 1918, kur edhe ishte hapur për nxënës.

(Kosova Sot Online)