Një vendbanim në Ajova të SHBA-së, terrorizohej nga një krijesë misterioze

  • 25 March 2020 - 15:00
Një vendbanim në Ajova të SHBA-së, terrorizohej nga një krijesë misterioze

Qyteza Van Meter, që ka rreth 1000 banorë, është shumë e shqetësuar nga ai që përshkruhet si përbindësh i tmerrshëm. Çdo burrë, grua apo fëmijë në qytet është në gjendje tmerri, ku shumë prej tyre nuk mbyllin sytë gjatë natës, duke pritur me padurim lindjen e diellit. Takimi i parë Të premten mbrëma, derisa popullsia ishte në vendet e tyre të rojës, çdo dritë elektrike në qytet ishte ndezur, me qëllim të largimit sa më të madh të frikës. Përbindëshi ishte vërejtur të hënën natën. Tregtari U.S Griffith ishte duke vozitur në këtë qytezë në orën 01:00 pas mesnate, kur pa atë që dukej si projektor drite në dyqanin "Maher & Grigg". Më pas drita kaloi te një ndërtesë tjetër dhe më pas u zhduk. Të nesërmen askush nuk besoi në këtë storje të tij. Por, natën tjetër, Dr. A.C Olcott, i cili natën e kalon në zyrën e tij, që gjendet në rrugën kryesore, ishte zgjuar nga një dritë e fuqishme, e cila i ishte drejtuar në fytyrë. Ai mori një pushkë dhe doli jashtë ndërtesës, ku pa një përbindësh, që dukej sikur të ishte kryqëzim i njeriut dhe bishës, me krahë të mëdhenj, si të lakuriqit.

Drita verbëruese dilte nga një e dalë në formë të bririt, në mes të ballit të kafshës, të cilës përndryshe i vinte një erë aq e keqe, e cila për pak sa nuk e alivanosi doktorin. Doktori nuk arriti të shtinte me armë, por i kapluar nga frika, ai u kthye në zyrën e tij, duke mbyllur çdo dritare dhe derë, duke mbetur aty i izoluar në tmerr, deri të nesërmen në mëngjes. Përjetimi i arkëtarit Dunn Peter Dunn, arkëtar në bankën e vetme në qytezë, nga frika e plaçkitësve, kishte marrë një pushkë me vete. Rreth orës 2 pas mesnate, ai për pak sa nuk u verbërua nga prania e një drite me intensitet të lartë. Kur iu mësuan sytë në atë dritë të madhe, ai arriti ta shihte përbindëshin dhe shtiu me armë nga dritarja. Përbindëshi u zhduk pa nam e nishan. Të nesërmen shiheshin gjurmët e shputave të mëdha, me tre gishta. Atë natë, Dr. O.V White pa përbindëshin duke u ngjitur në një shtyllë të telefonit. Por, kur zbriti poshtë, ai dukej se ecte me kërcime, si një kangur, duke përdorë edhe krahët e tij pa pupla, si mjet ndihmës. Ai nuk lëshonte dritë më. Doktori e gjuajti dhe iu duk se e kishte goditur. Më pas u ndie një erë tepër e keqe.

Pasi që dëgjoi të shtënat, Sidney Gregg e pa përbindëshin duke ikur me fluturim. Një krijesë e epokës para Vërshimit të madh?! Por, ajo kryesorja ndodhi të premten natën. I tërë qyteti ishte në këmbë. Profesor Martin, drejtor i shkollës, tha se, në bazë të përshkrimit, kafsha ishte një krijesë sikur ato që jetonin para Vërshimit të madh (në kohën e profetit Nuh). Pak pas mesnatës, J. L Platt, kryepunëtor në një fabrikë të tullave, dëgjoi një zë të çuditshëm në një minierë të braktisur të qymyrit dhe, meqë punëtorët e tij e kishin dëgjuar këtë zë edhe më parë, disa vullnetarë filluan hetimet. Ata panë përbindëshin duke dalë nga pusi i minierës, i pasuar nga një përbindësh më i vogël. Ata shtinë me armë, por pa efekt. I tërë qyteti ishte në këmbë, por gjatë tërë natës nuk u pa asgjë, deri pak para mëngjesit, kur dy përbindëshat u panë sërish duke hyrë në pusin e minierës dhe duke u zhdukur. Ata nuk ishin parë kurrë më. Miniera në fjalë më nuk ekziston.

(Kosova Sot Online)