Kur do na e marrin anën robotët?

  • 31 March 2020 - 14:52
Kur do na e marrin anën robotët?

Steve Wozniak, njëri nga themeluesit e kompanisë "Apple" mendon se inteligjenca artificiale do të mund t'ia merrte anën racës njerëzore dhe se e ardhmja jonë është e tmerrshme. - Kompjuterët do të na e marrin anën - kjo është e paevitueshme. Inteligjenca artificiale, e cila në softuerin e saj do ta ketë të inkorporuar tërë fuqinë dhe kreativitetin e mendjes njerëzore, është shumë e rrezikshme - thekson Wozniak. Degradimi i njerëzve Nëse kompjuterët dhe celularët do të përsosen deri në atë masë sa që të fillojnë të punojnë në vend të njerëzve, mund të ndodhë që të fillojnë të mendojnë më shpejt sesa krijuesit e tyre. - Njerëzit do të bëhen tepër të ngadalshëm e me kompanitë do të mund të udhëheqin kompjuterët shumë më të shpejtë - mendon Wozniak. Edhe shefi i kompanive "Tesla Motors" dhe "Space X", Elon Musk, ka frikë nga inteligjenca artificiale dhe mendon se ajo paraqet me gjasë "rrezikun më të madh ekzistencial për njerëzit". - Duke përsosur inteligjencën artificiale, ne ngucim të ligën tonë. A i dini ato tregimet në të cilat njeriu me pentagram dhe ujë të shenjtë është i sigurt se mund ta mundë djallin? Por, ai nuk mundet, meqë gjërat nuk funksionojnë kështu - thotë ai. Çka mendon Hawking? Stephen Hawking, njëri ndër shkencëtarët më të njohur në botë, beson se tentimet për krijimin e inteligjencës së përkryer artificiale mund të çojnë deri te shkatërrimi i racës njerëzore. Ai porosit dhe thotë se, kompanitë të cilat merren me internet, duhet t'i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që të parandalojnë që interneti të bëhet qendër terroriste e komandimit. - Njerëzit do të duhej të shqetësoheshin rreth rrezikut që vjen nga inteligjenca artificiale - mendon Bill Gates.

Ai nuk i kupton ata që nuk janë të vetëdijshëm se inteligjenca artificiale do të mund të zhvillohej deri në atë masë, sa që njerëzit më nuk do të jenë në gjendje që ta kontrollojnë. - Robotët do të bëjnë gjithnjë e më shumë punë për ne, gjë që është mirë vetëm nëse do të mund ta kontrollojmë këtë, por për shkak të inteligjencës së tyre, duhet të jemi të kujdesshëm - tërheqë vërejtjen Gates. Rritja e numrit të robotëve Studimet tregojnë se, deri në fund të shekullit XXI, do të zhduken 70% të profesioneve të tashme, ku punët e tilla do t'i marrin mbi vete robotët. Ata tanimë janë duke i zëvendësuar njerëzit në shiritat prodhues të fabrikave, ku kërkohet një precizitet i lartë. Numri i robotëve në vendet e zhvilluara të botës rritet për çdo vit për 30% edhe atë më së shumti në Japoni. Futurologët paralajmërojnë se qeniet njerëzore, deri në vitin 2040, do të mund të bëhen inferiore sa iu përket aftësive, inteligjencës, por edhe emocioneve. Inteligjenca artificiale do ta marrë pushtetin në duart e veta. Do të jetë më mirë që të shoqërohesh me makineri dhe kompjuterë, sesa me qenie njerëzore. Mund të vijë edhe deri te një zëvendësim i plotë, që robotët të kënaqen, e njerëzit të fillojnë t'iu shërbejnë atyre, thonë ekspertët.

(Kosova Sot Online)