'Whaley House', që gjendet në Sheshin San Diego sot është muze

  • A.P /
  • 27 October 2020 - 15:10
'Whaley House', që gjendet në Sheshin San Diego sot është muze

"Whaley House" nuk i tërheqë vizitorët për faktin se është muze, por për një arsye tjetër. Shumë nga turistët që enden poshtë e përpjetë këtij muzeu, shpresojnë ta shohin të paktën njërën prej fantazmave për të cilat flitet se rrinë aty. Në fakt, "Whaley House" është njëri ndër vendet më të pushtuara nga shpirtrat në SHBA. Derisa nuk ishte muze, "Whaley House" ishte shtëpi e Thomas Whaley-t dhe familjes së tij. Sipas standardeve të asaj kohe, kjo ishte një shtëpi e madhe dhe kishte shërbyer më shumë sesa një shtëpi familjare. Ajo ishte edhe një dyqan, që udhëhiqej nga Thomas Whaley, një hambar dhe seli e Gjykatës së Qarkut. Por, kjo nuk është e tëra. Kjo shtëpi kishte shërbyer edhe si shkollë dhe vendvotim. Kjo ka ndikuar që "Whaley House" të bëhej e pushtuar nga lloj-lloj fantazme. Fillimi i mallkimit Bile edhe para se të ndërtohej kjo shtëpi thuhet se në atë pronë kishte bërë vetëvrasje një njeri i quajtur "Yankee Jim" Robinson, i cili edhe u bë fantazma e parë që e pushtoi atë shtëpi.

Thomas Whaley dhe familjarët e tij dëgjonin zhurmë të hapave që lëviznin andej-këndej shtëpisë, ku, sipas tyre, ishte shpirti i Yankee Jim-it ai që e bënte këtë zhurmë. Por, Yankee Jim Robinson mund të ketë qenë vetëm fantazma e parë e kësaj shtëpie, por jo edhe e vetmja. Thomas Whaley dhe gruaja e tij, Anna, si dhe disa nga fëmijët e tyre, duke e përfshirë edhe vajzën e tyre, Violet, e cila kishte bërë vetëvrasje në vitin 1885, që të gjithë ata janë parë si fantazma, vite të tëra pas vdekjes së tyre. Kjo ka ndikuar që, në vitin 2005, revista "LIFE" ta quante "Whaley House" "shtëpia më e pushtuar nga fantazmat në SHBA. Që nga kjo kohë, shtëpia në fjalë është bërë e popullarizuar më shumë te adhuruesit e tregimeve me fantazma.

Bile, për të është bërë edhe një film jo aq i njohur, me titull "The Haunting of Whaley House". Janë bërë edhe disa dokumentarë rreth kësaj shtëpie dhe rreth disa momenteve, të cilat ndodhin në këtë shtëpi, e që nuk kanë ndonjë shpjegim të arsyeshëm. Përjetimet e të famshmëve Bile edhe të famshmit thuhet të kenë parë fantazma këtu. Në vitin 1964, derisa ishte duke bërë një program të mëngjesit, Regis Philbin thuhet ta kishte takuar shpirtin e Anna Whaley-t dhe në vitin 2012 kanali TV "Biography" bëri një emision rreth kësaj përvoje të Philbin-it. Organizata "Save Our Heritage Organization", e cila e udhëheq muzeun "Whaley House", ofron një turne të "gjuetisë në fantazma" që zhvillohet vonë natën, në fundjavën e fundit të secilit muaj dhe, më shpesh afër "Halloween"-it. Edhe sot e kësaj dite "Whaley House" e ka formën origjinale, sikur kur ishte ndërtuar në vitet 1856-57. Nëse ju qet rruga këndej dhe nëse jeni adhurues i historisë, sidomos të historisë së Kalifornisë, atëherë muzeu në fjalë është një destinacion i domosdoshëm për ju. Por, kujdes... 

(Kosova Sot Online)