
Lexoni edhe:
Ivana tërheq gjithë vëmendjen në Kupën e Botës 2026
Shkencëtarët kanë arritur të çelin zogj të gjallë nga një vezë plotësisht artificiale, një zhvillim që po shihet si hap i rëndësishëm në përpjekjet për rikthimin e specieve të zhdukura.
Ekspertët e kompanisë Colossal Biosciences, e njohur për planet për rikthimin e mamuthit leshtor, kanë krijuar sistemin e parë të inkubimit pa lëvozhgë që imiton një vezë natyrale “sa më shumë që të jetë e mundur”. Ekipi mori embrione të hershme zogjsh, i vendosi në një strukturë artificiale dhe i inkuboi për 18 ditë derisa u zhvilluan.
Ivana tërheq gjithë vëmendjen në Kupën e Botës 2026 
Lexoni edhe:
Pasi zogjtë ishin gati, ata dolën nga struktura artificiale dhe, sipas kompanisë, tani po jetojnë të shëndetshëm. Colossal e konsideron këtë arritje një moment kyç për planet e saj për rikthimin e moa-s gjigante të Ishullit Jugor, një zog i zhdukur që dikur arrinte deri në 3.6 metra lartësi dhe peshonte rreth 230 kilogramë.
Kompania e sheh këtë teknologji edhe si një hap drejt zhvillimit të një “mitre artificiale” në të ardhmen. “Ky pajisje ndryshon gjithçka. Po i tregojmë botës se mund të rrisim një zog të tërë në inkubator, jashtë lëvozhgës së vezës”, deklaroi Colossal.
Si funksionon veza artificiale
Pajisja përbëhet nga një strukturë e jashtme e fortë, e printuar në 3D, e ndërtuar në formë rrjete për të ofruar mbrojtje dhe qëndrueshmëri. Brenda saj ndodhet një membranë me bazë silikoni, e cila lejon oksigjenin të kalojë në sistem.
Gjatë 40 viteve të fundit ka pasur disa përpjekje për të krijuar vezë artificiale, por ato kërkonin sasi të mëdha oksigjeni të pastër, gjë që mund të shkaktonte dëmtime në ADN dhe të ndikonte në shëndetin afatgjatë të kafshëve. Dizajni i ri lejon që oksigjeni të kalojë natyrshëm nga atmosfera në vezë, duke imituar mënyrën se si oksigjeni hyn në vezët reale përmes poreve mikroskopike të lëvozhgës.
Veza artificiale ka gjithashtu një “dritare” në pjesën e sipërme, që u mundëson shkencëtarëve të vëzhgojnë në kohë reale çdo fazë të zhvillimit embrional. Sipas Colossal, pajisja është e përputhshme me inkubatorët standardë komercialë, mund të prodhohet në shkallë të madhe dhe mund të përshtatet për vezë të çdo madhësie.
Nga veza e pulës te zogu i gjallë
Për të nisur procesin, ekspertët mblodhën vezë pule menjëherë pasi ishin bërë. Ekipi i embriologjisë i kontrolloi me kujdes dhe zgjodhi embrionet që dukeshin më premtuese për çelje. Më pas, vezët u hapën shumë butë dhe përmbajtja u transferua në vezën artificiale, e cila u vendos në inkubator.
Shkencëtarët shtuan edhe një lëndë ushqyese për të ndihmuar embrionin të vazhdonte zhvillimin. Rreth 18 ditë më vonë, zogu nisi të godiste strukturën, shenjë se ishte gati të dilte. Pas çeljes, zogjtë u vendosën në grupe, më pas u transferuan në një hapësirë të jashtme dhe në fund në një fermë më të madhe.
Shpresë për speciet e rrezikuara
Colossal thotë se kjo teknologji mund të ndihmojë edhe kafshët e rrezikuara, në një kohë kur më shumë se gjysma e specieve të shpendëve janë në rënie. Kompania përfytyron një të ardhme ku qindra apo mijëra vezë mund të rriten në laboratorë për të ndihmuar speciet në rrezik kritik.
Për moa-n gjigante të Ishullit Jugor, sfida e inkubimit është veçanërisht e madhe. Vezët e kësaj specieje mendohet se kishin rreth 80 herë vëllimin e një veze pule dhe rreth tetë herë vëllimin e një veze emu. Asnjë zog i gjallë sot nuk është mjaftueshëm i madh për të shërbyer si bartës, ndaj një vezë artificiale e shkallëzuar sipas madhësisë shihet si thelbësore.
(Kosova Sot Online)