Publikohen dokumentet e CIA-s për UFO-t

  • E.K /
  • 13 janar 2021 - 15:12
Publikohen dokumentet e CIA-s për UFO-t

Mund të konsiderohen një thesar dokumentet e CIA-s për UFO-t të publikuara së fundmi online. Dosja përmban me qindra të dhëna të deklasifikuara, dikur informacione top sekrete, për “Fenomenet e Paidentifikuara Ajrore” (UAP).

Dokumentet gjendjen në faqen online Black Vault dhe tashmë janë publike falë përpjekjeve shumë vjeçare për të aksesuar të dhënat e CIA-s, që datojnë që prej 1980-s. Drejtuesi i website-it, John Greenwald JR., thotë se përmban të gjitha dokumentet që CIA deklaron se ka mbi UAP. UAP është termi i përdorur nga qeveria amerikane për objektet ajrore të cilat ekspertët nuk mund t’i identifikojnë, apo shpjegojnë menjëherë.

Shumë mund të jenë fenomene të shkaktuara nga drita apo nga faji i pilotëve që drejtonin mjetet fluturuese, por një pjesë e mirë janë hetime të Pentagonit. Sipas asaj që shkruan e përditshmja The Sun, Greenwald ka luftuar prej vitesh që CIA t’i bënte publike këto të dhëna, por vetëm tani arriti t’i shtinte në dorë. Ai mësohet se mori një kuti të madhe me mijëra faqe dhe i skanoi ato një për një.

Në mesin e tyre gjenden histori të çuditshme për një shpërthim misterioz në një qytezë të vogël ruse, ku çatitë e banesave u shkatërrua, xhamat u thyen dhe një krater gjigand u hap në tokë. Banorët raportuan se kishin parë një sferë të zjarrtë që lëvizte në ajër, duke ngjallur frikën tek ta se bëhej fjalë për UFO, por ushtria lokale konkludoi se burimi i shpërthimit ishte një dyqan me nitrat amoni. Hetimi i CIA-s ishte pa konkluzione.

Një tjetër dokument përmban detaje të dëshmisë së një boshnjaku në arrati, i cili deklaronte se kishte pasur kontakt me alienët. Greenwald beson se publikimi i këtyre dokumenteve është i rëndësishëm për publikun. “Publiku ka të drejtë të dijë”, tha ai.

Dokumentet vijnë vetëm 6 muaj para se, ashtu siç ka paralajmëruar, qeveria amerikane të publikojë një raport për UFO-t. Pentagoni dhe agjencitë e spiunazhit do të duhet të zbulojnë gjithçka dinë për objektet misterioze që kanë vëzhguar. Ekspertëve të inteligjencës iu dhanë 180 ditë kohë për të përpiluar një raport zyrtar për objektet misterioze pranë bazave ushtarake amerikane, që pritet të bëhen publike.

(Kosova Sot Online)