Shkencëtarët drejt krijimit të mundësisë që astronautët të mbërrijnë në Mars për 3 muaj

  • G.G /
  • 05 shkurt 2021 - 08:28
Shkencëtarët drejt krijimit të mundësisë që astronautët të mbërrijnë në Mars për 3 muaj

NASA po planifikon të dërgojë astronautët në Mars në vitin 2030. Planeti i kuq i cili ndodhet rreth 140 milionë milje larg Tokës është më i ftohtë se Antarktika dhe ka shumë pak oksigjen.

Sa më shumë kohë që u duhet astronautëve për të shkuar dhe sa më shumë që qëndrojnë atje, aq më shumë janë të rrezikuar.

Kjo ka shtyrë shkencëtarët që të kërkojnë mënyra për reduktimin e kohës për të arritur në këtë planet, shkruan CNN.

Kompania teknologjike USNC-Tech ka propozuar një zgjidhje e që është një forcë shtytëse që do t’i dërgonte njerëzit nga Toka në Mars për vetëm tre muaj.

Aktualisht, koha e mbërritjes në Mars llogaritet të jetë shtatë muaj.

Michael Eades, drejtor i inxhinieringut në USNC-Tech ka thënë se raketat nukleare do të ishin më të fuqishme dhe dy herë me efikase se motorët kimikë që përdoren sot, duke nënkuptuar se astronautët do të udhëtonin më shpejtë dhe njëkohësisht do të shpenzohej më pak lëndë djegëse.

“Teknologjia nukleare do të zgjerojë mundësitë e njerëzve rreth orbitës së Tokës dhe në thellësi të hapësirës”, ka thënë Eades.

(Kosova Sot Online)