Astro-fotografi finlandez shpenzon 12 vjet për panoramën e plotë të Rrugës së Qumështit

  • G.G /
  • 23 mars 2021 - 11:23
Astro-fotografi finlandez shpenzon 12 vjet për panoramën e plotë të Rrugës së Qumështit

Kapja e të gjithë panoramave të galaktikës sonë Rruga e Qumështit, duket si një detyrë e rëndë, pasi gjatësia e saj është rreth 100 000 vite dritë, sipas Administratës së Aeronautikës dhe Hapësirës së SHBA.

Por astro-fotografi finlandez JP Metsavainio ka shpenzuar rreth 12 vjet duke gjetur pikat e bashkimit të 234 kuadrove për të krijuar një mozaik të qiellit prej 125 gradësh. Kjo panoramë, e cila tregon rreth 20 milionë yje dhe kap të gjithë hapësirën mes konstelacioneve Taurus e Cygnus, është përfunduar prej tij me 16 mars.

“Fotografia astronomike është një nga format më të vështira të fotografisë natyrore”, tha Metsavainio, autori i imazhit. “Mozaiku i imazhit tim është përgjithësisht shumë i thellë, që do të thotë se tregon imazhe shumë të zbehta dhe formacione në re gazi, të galaktikës tonë Rruga e Qumështit”.

Secili imazh i mozaikut është një punim artistik më vete, i publikuar në llogarinë e Metsavainio. Ai thotë se një imazh i tillë nuk ka ekzistuar më parë, dhe kjo është arsyeja përse ai i ka kushtuar mijëra orë punë projektit të tij.

Metsavainio ka përdorur lente të modifikuara dhe teleskopë në observatorin e tij në veri të Finlandës, pranë rrethit Arktik, dhe programe përpunuese për përshtatjen e ngjyrave.

Astro-fotografi thotë se imazhet e tij të preferuara janë ato të mbetjeve nga supernova-t, të cilat ndodhin pas shpërthimit të një ylli. Në panoramën e tij duken disa prej tyre, siç është Guaska e Cygnus, një supernova e zbehtë që mund të dallohet si një unazë e zbehtë blu, pranë Nebulës së Amerikës së Veriut, vetëm për të cilën autori thotë se iu deshen 100 orë për ta krijuar.

Llogaria e tij ka 750,000 vizitorë që prej publikimit të fotos.

“Arsyeja që vazhdoj këtë punë është vetëm kurioziteti pambarim, më pëlqen të shikoj dhe të tregoj sesa e mrekullueshme është bota jona. Kjo është punë vetmitare dhe e ngadaltë, por sa herë që shoh rezultatet, jam po aq i emocionuar sa herën e parë”.

Së bashku kolegun e tij astro-fotograf, ish-kitarist i grupit muzikor Queen, Brian May, Metsavainio dha një transmetim direkt virtual në Muzeumin e Shkencave në Londër mbi retë kozmike.

(Kosova Sot Online)