Zbulohen katër varre faraonësh dhe një mumje

  • A.P /
  • 27 January 2023 - 14:38
Zbulohen katër varre faraonësh dhe një mumje

Egjipti njoftoi sot zbulimin e katër varreve të faraonëve dhe një mumje më shumë se 4000-vjeçare në Saqqara-s, afër Kajros.

Në nekropolin e Saqqara-s, i njohur për piramidën e famshme të shkallëve të faraonit Djoser, arkeologët kanë nxjerrë në dritë këto varre të vulosura të dinastive të 5-të dhe të 6-të, nga viti 2500 deri në 2100 para Krishtit.

 

Këto zgavra të thella, të zbukuruara me skena shumëngjyrëshe nga jeta e përditshme, ishin vendbanimi i fundit i Khnumzenedev, kryepriftit të faraonit Unas, u tha gazetarëve arkeologu i njohur egjiptian Zahi Hawas.

Gjatë gërmimit, 15 metra nën tokë, arkeologët zbuluan një sarkofag gëlqeror “në gjendjen e saktë që egjiptianët e lashtë e kishin lënë atë 4300 vjet më parë”, tha Hawass.

Duke e hapur, ata zbuluan një mumje të mbuluar me ar, “një nga më të vjetrat dhe më të ruajturat në Egjipt, me përjashtim të mumive mbretërore”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”, shpjegoi arkeologu, i cili mbante si zakonisht kapelën e tij të famshme Indiana Jones.

Nekropoli i Saqqara-s, pak më shumë se 15 kilometra në jug të piramidave të famshme të Gizës, është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ashtu si Piramida e Djoserit, e ndërtuar rreth 2700 para Krishtit nga arkitekti Imhotep, që konsiderohet të jetë një nga monumentet më të lashta në faqen e dheut.

Egjipti ka bërë shumë njoftime të mëdha muajt e fundit, kryesisht në Saqqara por edhe në Luxor.

Pardje Kajro njoftoi se kishte zbuluar në këtë qytet jugor egjiptian, Tebën legjendare të faraonëve, rrënojat e “një qyteti të tërë romak” që daton nga shekujt e parë pas Krishtit.


(Kosova Sot Online)