
Lexoni edhe:
Gjesti paralajmëron hitin e ri që pritet të pushtojë verën 2025
Toka ka pasur gjallesa për miliarda vjet, por a mund të konsiderohet planeti vetë si një qenie e gjallë? Shumica e njerëzve e shohin Tokën thjesht si një shkëmb gjigant, me kushte të përkryera për të ushqyer jetën siç e njohim sot, nga kafshët dhe bimët deri te bakteret mikroskopike. Por shkencëtari mjedisor anglez James Lovelock mendonte ndryshe.
Duke u larguar nga pikëpamjet tradicionale akademike, Lovelock bashkëpunoi me biologen evolutive amerikane Lynn Margulis në vitet 1970 për të zhvilluar një këndvështrim të ri të quajtur hipoteza Gaia. Kjo ide e paraqet Tokën si një sistem të gjallë në të cilin të gjitha organizmat ndikojnë në mjedisin përreth për të ruajtur homeostazën (me fjalë të tjera, qëndrueshmërinë). Edhe pse kjo hipotezë mbetet shumë e diskutueshme edhe sot, ajo ka zgjeruar dialogun shkencor rreth identitetit të planetit tonë.
Gjesti paralajmëron hitin e ri që pritet të pushtojë verën 2025Lexoni edhe:
Hipoteza Gaia
Në formulimin e hipotezës Gaia, Lovelock mori frymëzim nga mitologjia e lashtë greke. Gaia, perëndesha greke e Tokës, adhurohej si nëna e gjithë krijimit.
Në një kapitull të librit të vitit 1988, Biodiversity, Lovelock sugjeron se ideja e një Toke të gjallë është e rrënjosur thellë te njerëzimi, por u zhduk kryesisht nga komuniteti shkencor pas shekullit XIX.
Hipoteza Gaia e riktheu këtë ide të harruar, duke propozuar që Toka është një organizëm i gjallë i tëri, në thelb një superorganizëm i përbërë nga shumë pjesë që veprojnë në harmoni (njësoj si një koloni milingonash apo bletësh). Sipas Lovelock-ut, Toka jeton dhe merr frymë përmes cikleve të mbyllura të prapaveprimit që balancon kushtet e planetit dhe i mban ato të favorshme për jetën. Në këtë hipotezë, organizmat ndihmojnë në procese që rregullojnë, për shembull, temperaturën atmosferike apo kripësinë e oqeaneve.
Kritikat ndaj hipotezës Gaia
Shumica e kritikave të hershme ndaj kësaj hipoteze thonin se Toka dhe organizmat e gjallë nuk mund të veprojnë për të mbështetur vetë planetin me qëllim të vetëdijshëm. Përkrahësit e fortë të darvinizmit nuk besonin se organizmat mund të "arrijnë një të mirë të përbashkët përmes përzgjedhjes natyrore, dhe se përzgjedhja natyrore nuk mund të veprojë mbi të gjithë planetin," siç thuhet në një punim të vitit 2021 në EarthArXiv.
Të tjerë argumentuan se hipoteza ishte më shumë një metaforë, pasi nuk mund të testohej për vlefshmëri. Shkencëtarët e diskutuan hipotezën Gaia në katër konferenca të veçanta, duke u përpjekur të zgjidhnin mosmarrëveshjet.
Në konferencën e dytë Gaia, të mbajtur në vitin 1988, Lovelock iu përgjigj kritikave duke zhvilluar një model matematik të quajtur Daisyworld. Këtu, një planet hipotetik i ngjashëm me Tokën përmban dy lloje lulesh: lule të zeza që thithin dritën dhe ngrohin planetin, dhe lule të bardha që reflektojnë dritën dhe e ftohin atë. Ky model sugjeron se lulet stabilizojnë klimën në një mënyrë që i lejon të dyja llojet të jetojnë në temperaturë optimale.
Daisyworld nuk i mbylli krejtësisht gojët e kritikëve, pasi ata vazhduan të gjenin probleme, si mungesa e faktorëve të tjerë që mund të ndikonin jetën dhe të shkaktonin paqëndrueshmëri në sistem. Për shembull, një sistem mund të përfshijë "mashtrues", organizma egoistë që nuk punojnë për qëndrueshmërinë e planetit.
Ta bëjmë planetin tonë më inteligjent
Toka mund të mos jetë e gjallë në kuptimin tradicional, por a ka ajo një mendje të vetën? Shkencëtarët u morën me këtë pyetje në një studim të vitit 2022 të botuar në International Journal of Astrobiology.
Pjesërisht i frymëzuar nga hipoteza Gaia, ky kërkim paraqiti konceptin e inteligjencës planetare, duke shpjeguar se si aktiviteti kolektiv mund të krijojë një sistem të qëndrueshëm në Tokë. Studimi thotë se planeti ndodhet aktualisht në një fazë të quajtur "teknosfera e papjekur," në të cilën teknologjia nuk është zbatuar ende plotësisht për të drejtuar sistemet e Tokës. Për momentin, ne ende po shterojmë burime natyrore si lëndët djegëse fosile, pa i dhënë planetit asnjë përfitim në këmbim.
Megjithatë, në të ardhmen mund të arrijmë fazën tjetër të inteligjencës planetare, të cilën studiuesit e quajnë "teknosfera e pjekur." Kjo do të kërkonte teknologji që të mbështesë drejtpërdrejt mirëqenien e Tokës, pa shkaktuar ndikime negative. Edhe pse nuk dihet se kur do ta arrijmë këtë pikë, studiuesit thonë se ta bëjmë Tokën më inteligjente përmes teknologjisë mund të ndihmojë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
(Kosova Sot Online)