Ja kush do të jetë i pari nga Evropa që do të udhëtojë drejt Hënës

  • A.P /
  • 01 December 2025 - 09:00
 Ja kush do të jetë i pari nga Evropa që do të udhëtojë drejt Hënës

Evropiani i parë në një nga misionet e ardhshme të agjencisë amerikane NASA në hënë do të jetë nga Gjermania, dhe më vonë astronautët nga Franca dhe Italia do të ndjekin gjurmët e tij.

Kjo u njoftua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), Josef Aschbacher, në Bremen të Gjermanisë, ku po mblidhet Këshilli i ESA-s, raportoi AFP.

 

ESA po kontribuon në programin Artemis të SHBA-së për ta kthyer njeriun në hënë duke ndërtuar anijen kozmike Orion dhe komponentët për një anije kozmike hënore në të ardhmen.

I shtyrë disa herë, misioni i NASA-s me pilot për të fluturuar rreth hënës - "Artemis 2", me partnerë privatë si SpaceX, është planifikuar të fillojë vitin e ardhshëm, 2026, më së voni në prill, në mënyrë që gjatë një udhëtimi dhjetëditor katër astronautë të testojnë anijen kozmike "Orion".

Do të ishte një hap kyç për kthimin e amerikanëve në hënë, të cilin Presidenti i SHBA-së Donald Trump e shpalli urgjent gjatë mandatit të tij të parë në vitet 2017-2021.

Misioni i radhës "Artemis 3" - i pari që nga viti 1972 që do të zbarkojë dy astronautë në sipërfaqen e Hënës, ku ata duhet të kontrollojnë nëse ka vërtet ujë të ngrirë, është planifikuar për vitin 2027 ose 2028.

Për SHBA-në, është e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara se Kina ta arrijë këtë, qëllimi i së cilës është që astronauti i saj të zbresë në hënë deri në vitin 2030.

(Kosova Sot Online)