Receta e Cekës - Tortë me arra dhe puding

  • E.K /
  • 23 June 2021 - 08:46
Receta e Cekës - Tortë me arra dhe puding

PËRBËRËSIT PËR BRUMIN:

8 vezë, 8 lugë sheqer, 300 gr arra të bluara, 2 lugë miell.

FILLI: 4 vezë, 8 lugë sheqer, 1 sheqer vanileje, lëvore limoni në rende, 1 puding vanileje të papërgatitur, 100 gr çokollatë, 7 dcl qumësht. Tunden të verdhat e vezëve me sheqer. Veçan tunden të bardhat e vezëve si borë.

Bashkohen këto me të verdhat e tundura, duke i përzier me lugë druri. Shtohen arrat e bluara dhe mielli. Të gjitha përzihen me kujdes dhe derdhen në kallëp për tortë të shtruar me letër pergamenti ose të lyer me yndyrë dhe të përmillur. Piqet në furrë me temperaturë 170 gradë Celsius për 40 minuta. Pasi të piqet, qëndron në furrë gjersa të ftohet, pastaj pritet në mes horizontalisht. Ndërkohë përgatitet filli. 4 vezë tunden me 8 lugë sheqer. Shtohen pudingu i papërgatitur, çokollata e kaluar në rende, sheqeri vanilje, lëvorja e limonit dhe pasi të përzihen të gjitha mirë, shtohet qumështi i vakët. Ena vihet në zjarr jo të fuqishëm dhe tundet ose përzihet vazhdimisht me lugë, gjersa të vlojë dhe të trashet. Largohet nga zjarri, mbulohet ena me pecetë dhe sa të ftohet kremi, me gjysmën e kremit lyhet torta brenda, kurse me gjysmën tjetër mbi dhe anash. Mbi i hidhen arra të bluara. 

(Kosova Sot Online)