
Lexoni edhe:
E konstaton analisti: Qeveria e Albin Kurtit ra si pasojë e një komploti të organizuar nga disa aktorë politikë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Habit fakti se si milionerët e Kosovës, në vend se t’ua shpjegojnë qytetarëve të vendit se nga u erdhën gjithë ato para dhe si i grumbulluan, për kaq pak vite, me një rrogë deputeti, kryetari partie apo funksionari politik, gjithë ato pasuri deri në Kanada e Australi, ankohen publikisht pse Qeveria Kurti ua ndau njerëzve në nevojë nga 100 euro, në vend se të pretendonin t’u ndaheshin nga 200-300 euro.
-Nëse u duket blerje votash, le t’ua blejnë votat pasanikët e opozitës duke ua dhënë nga 200 euro pensionistëve, fëmijëve e studentëve, që të mos i marrë Kurti. Apo vetëm për t’i kamufluar milionat e veta, ata u shpallën luftë të paskrupullt 100 eurove që Qeveria në detyrë ua shpërndau qytetarëve në nevojë, ndoshta duke aluduar pse Qeveria Kurti nuk ua dha atyre ato para, ose mafio-oligarkëve të lidhur me ta, si grupi Devolli, magnatët e Elkos, Viva etj., sikurse vepronte dikur Isa Mustafa dhe qeveritë e PAN-it, pa u lodhur asnjëherë për skamjen dhe varfërinë e skajshme të qytetarëve.
Në fakt, brengosje të thellë për qytetarët e këtij vendi paraqet pasuria e dyshimtë marramendëse e politikanëve të inkriminuar, si dhe shtëpitë, garazhet dhe objektet tjera në vlera milionëshe të politikanëve, gjë që kërkon sqarim sa më të shpejtë dhe të detajuar ligjor, e jo 100 eurot që Qeveria e Kosovës nuk i (keq)përdori për aventura e veprime qejfi për vete, si ish-qeveritë e kaluara, por ua shpërndau kategorive më të rrezikuara të qytetarëve, si pensionistëve, studentëve e nënave lehona që rrisin fëmijë dhe kujdesen për ardhmërinë e vendit tonë, si dhe atyre me nevoja të veçanta, në këtë kohë shtrenjtimesh marramendëse, që tregtarët dhe firmat e paskrupullta i shkaktojnë me manipulime të dakorduara ndërmjet veti apo edhe me ngritje çmimesh me “porosi” politike, për shkaktimin e gjendjeve emergjente, pa asnjë normë etike e kontroll ligjor.
Nuk janë 100 eurot e ndara të Qeverisë për qytetarët në nevojë, por milionat e deponuara në banka vendore e të huaja, shtëpitë shumëkatëshe dhe ndërtesat e shtrenjta deri në Australi, ato që janë burim dyshimi dhe që mund të përbëjnë edhe shkelje ligjore me argumente të pakontestueshme, origjina e të cilave urgjentisht duhet hetuar deri në detaje, duke filluar nga shtëpitë supergrandioze në lagjet më luksoze si “Marigona” në kryeqytet, dhe shtëpitë me kosto milionëshe të blera e të ndërtuara gjithandej botës, deri në kontinentet më të largëta të globit, përfshirë Australinë, Kanadanë, SHBA-të etj.
Prandaj, pikërisht politikanët e inkriminuar kanë një hall të madh që orë e çast vazhdojnë të derdhin lot krokodili për 100 eurot e ndara nga Qeveria në detyrë për kategoritë me të ardhurat më të ulëta në vend, derisa ata vetë ende askujt nuk i kanë dhënë asnjëherë llogari se ku i morën gjithë ato para dhe nga u erdhën gjithë ato pasuri, me të ardhura të një deputeti apo udhëheqësi politik në një shtet të ri, vend të vogël dhe me rroga të ulëta si Kosova.
Ajo që ka shumë rëndësi dhe që dihet saktësisht, është fakti se, me rastin e shpërndarjes së 100 eurove, Qeveria askënd nuk e ka kushtëzuar se ua jep këto para me kushtin që ata t’ia japin asaj votën. Dhe, për të qenë edhe më i qartë dhe plotësisht preciz në shprehje deri në maksimum, të gjithë ata që dyshojnë se Qeveria ua dha nga 100 euro për t’ua marrë votën, ose ndonjë tjetër që nuk i do 100 eurot e ndara nga Qeveria Kurti, lirisht mund të mos i marrin. Kaq lehtë është i zgjidhshëm ky problem që opozita e quan të tillë.
Dhe ata të cilët nuk duan t’i marrin 100 eurot e ndara nga Qeveria Kurti, sepse paskan besim të patundur te milionerët, le ta provojnë edhe vetëm sa për kureshtje t’u kërkojnë pasanikëve të opozitës, që janë ngritur kundër ndarjes së 100 eurove, qoftë 20 deri në 50 euro ndihmë të njëhershme, për t’u bindur secili personalisht nëse do t’u përgjigjen pozitivisht dhe me kaq dhembshuri edhe kur kërkohet të japin për qytetarët dhe jo vetëm të marrin për vete në kurriz të tyre po këta milionerë që po shprehin “keqardhje” kaq të papërmbajtur pse Qeveria Kurti ua ndau atyre nga 100 euro.
Duke qenë se Qeveria Kurti askënd nuk e ka kushtëzuar se 100 eurot e ndara do t’ua japë vetëm në këmbim të votës dhe askujt nuk i ka kërkuar ta ndërrojë partinë apo ta ndryshojë bindjen politike për t’ia dhënë 100 euro, pranuesit e parave, edhe pas marrjes së tyre, nuk kanë kontratë për votë me kryeministrin Kurti dhe secili është i lirë të vendosë sipas dëshirës së vet se kujt do t’ia japë votën.
Kështu që, sa i takon vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagesave të njëhershme prej 100 eurosh për kategori të ndryshme qytetarësh në nevojë, nuk mund të pretendohet apriori si vendim me ndikim politik, kur dihet mirëfilli se bindja politike e shumicës së qytetarëve është dëshmuar edhe në zgjedhjet e kaluara, siç do të shihet edhe më 7 qershor. Madje, ajo është përsëritur disa herë që nga viti 2021 deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, rezultati i të cilave ka mundësi të përsëritet, nëse, për shkak të zhurmës së paskrupullt të milionerëve, nuk bie vota për pasanikët parelinj dhe nuk ngrihet edhe më lart rezultati i votimit për kryeministrin financiarisht të varfër, Albin Kurti dhe LVV-në.
Ndryshe, t’u bashkohesh ulërimave të pasanikëve të lagjes Marigona dhe atyre që kanë nga dy-tri shtëpi edhe në Australi, Kanada, Zelandë të Re, Dubai apo kudo tjetër në botë, vetëm pse kryeministri në detyrë Albin Kurti ka marrë vendim t’ua ndajë nga 100 euro pensionistëve, studentëve e fëmijëve, ndërsa nga 500 euro për nënat lehona, i cili madje pensionistëve dhe fëmijëve ua thjeshtësoi tërësisht procedurat që ata të mos kenë nevojë as për aplikim, dhe këtyre kategorive u premtoi se paratë për ta do të ekzekutohen që në fillim të javës që vjen, e të solidarizohesh me thirrjet e superpasanikut Abdixhiku, që bën jetë të ndarë dhe larg nga qytetarët, pa kërkuar kurrë nga ai sqarime për pasurinë e grumbulluar, edhe organizata “Demokracia në Veprim”, kinse për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të resurseve publike gjatë periudhës zgjedhore, kjo vërtet tingëllon si shpifje e llojit që nuk do asnjë komentim.
Për aq më tepër, deklarimi i këtij lloji në prag të zgjedhjeve parlamentare vë në dyshim pastërtinë morale dhe ligjore edhe të vetë udhëheqësve të organizatës me emrin famoz “Demokracia në Veprim”, pa vepruar e ndërmarrë asnjëherë asgjë për sqarimin ligjor të mënyrës së grumbullimit të pasurive nga milionerët aktualë, përfshirë Lumir Abdixhikun, të cilët edhe në politikë janë futur për të shtuar grumbujt e parave e rritur pasuritë e veta dhe jo se vuajnë fort për gjendjen e qytetarëve.
Duke qenë se, eksplicit, e ashtuquajtura organizatë “Demokracia në Veprim” ka marrë publikisht anësi politike dhe u është bashkuar teorive të milionerëve në vend, lind dyshimi nëse edhe udhëheqësit apo ndonjë nga prijësit e saj kanë diçka personale apo grupore që duhet kamufluar me aksione të tilla të dyshimta. Ndaj, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, shpresojmë se do të flasin faktet e jo individët apo organizatat pretenduese, dhe vetë Byroja tanimë e miratuar për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme do t’i heqë dyshimet dhe do ta sqarojë të vërtetën për secilin deri në fund.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".