Receta e Pepës:Pite me kungull
Receta me kungull mund të shërbehet si e ëmbël (duke i shtuar 3 lugë sheqer), ashtu dhe e kripur (duke shtuar pak djathë të bardhë sipas dëshirës)
Përbërësit
15 petë të gatshme (nëse doni, mund t’i përgatisni vetë),
1 kg tul kungulli,
300 ml qumësht (rreth 2 filxhanë; 1 filxhan për harxhin e byrekut dhe 1 filxhan për të spërkatur petët),
300 gr gjalpë,
3 vezë,
1 lugë miell,
kripë.
Përgatitja:
Grijmë tulin e kungullit në rende me pjesën më të trashë të saj.
Në një tenxhere, shkrijmë rreth 200 gr gjalpë dhe shtojmë kungullin, duke e gatuar në zjarr të ulët për rreth 30 minuta, në këtë mënyrë kungulli do të zbutet dhe do t’i avullojë lëngu i tepërt.
Në një tas rrahim vezët, shtojmë qumështin, miellin, pak kripë, 100 gr gjalpë të shkrirë paraprakisht në mikrovalë dhe kungullin duke i përzierë shumë mirë. Ky është harxhi me të cilën do të mbushet pitja.
Lyejmë me pak gjalpë tepsinë ku do të vendosim piten, shtrojmë 5 peta duke i spërkatur çdo njërën prej tyre me pak qumësht, shtojmë gjysmën e harxhit me kungull, 5 peta të tjera (të spërkatura me qumësht), harxhin e mbetur dhe e përfundojmë piten me 5 petat e fundit. I kthejmë anët byrekut, hedhim mbi të qumështin e mbetur dhe e pjekim në furrë të ngrohtë në 200°C për rreth 30 minuta.
(Kosova Sot Online)