Kur shërohesh plotësisht nga koronavirusi: Studimi i fundit nxjerr të dhëna befasuese

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 10:43
Kur shërohesh plotësisht nga koronavirusi: Studimi i fundit nxjerr të dhëna befasuese

Pothuajse tre të katërtat e pacientëve kanë raportuar simptoma të COVID-19, edhe tre muaj pas shërimit. Ky është rezultati i publikuar nga një studim i fundit në Mbretërinë e Bashkuar.

Studimi ka marrë në vëzhgim 110 pacientë të “North Bristol NHS Trust”, pjesë e projektit “Discover”, dhe kishte për qëllim të identifikonte efektet afatgjata të virusit – të ashtuquajtura “COVID’i i gjatë”.

Nga verifikimet, një total prej 81 pacientësh nga 110 – pothuajse 74% – përjetuan simptoma të tilla si vështirësi në frymëmarrje, lodhje e tepërt, dhimbje muskulare edhe pas 12-javësh.

Megjithëse shumica ishin shëruar nga simptomat fillestare, si ethet, kolla dhe humbja e nuhatjes e shijes, ata ende vazhdonin të ndiheshin të këputur dhe nuk ishin në gjendje të bënin edhe gjërat bazike për veten, si larja dhe veshja, pa folur pastaj për të shkuar në punë.

“Ende ka shumë gjëra që nuk i dimë për efektet afatgjata të koronavirusit, por ky studim na ka dhënë një pasqyrë të re jetike se me cilat sfida mund të përballen pacientët në shërimin e tyre dhe do të na ndihmojë të përgatitemi për ato nevoja”,- tha Dr. Rebecca Smith, nga “North Bristol NHS Trust”.

Francisco Garsia, 31 vjeç, qëndroi në spital plot 4 muaj pas infektimit me Covid-19, dhe u rikthye në shtëpi, në Los Angeles, më 19 gusht

Projekti “Discover” rekrutoi 163 pacientë për studimin, 19 prej të cilëve ndërruan jetë. Pjesa tjetër u thirr për një kontroll pas tre muajsh dhe 110 prej tyre pranuan të ishin pjesë.

Dr. David Arnold, i cili drejtoi projektin “Discover”, tha se studimi përshkroi “atë që shumë pacientë me koronavirus na kanë thënë: kanë ende probleme me frymëmarrjen, ndihen shumë të lodhur dhe vuajnë nga pagjumësia për muaj të tërë pas shërimit”.

“Megjithatë, anomalitë në rrezet X dhe testet e frymëmarrjes janë të rralla në këtë grup”,- shton ai. “Puna e mëtejshme në projektin “Discover” do të na ndihmojë të kuptojmë si mund t’i ndihmojmë të sëmurët që vuajnë për një kohë të gjatë pasojat nga koronavirusi.”

(Kosova Sot Online)