Në botë po studiohen rreth 180 vaksina kundër Covid-19

  • A.P /
  • 11 September 2020 - 18:44
Në botë po studiohen rreth 180 vaksina kundër Covid-19

OBSH’ja pret që brenda vitit të ketë në dispozicion rezultatet paraprake të vaksinave eksperimentale kundër koronavirusit të ri. Rreth 30 prej tyre janë në stadin më të avancuar ndërkohë që sëmundja vijon të përhapet.

Në botë po studiohen rreth 180 vaksina për të luftuar sëmundjen e kovidit-19.

Deri tani pandemia u ka kushtuar jetën mbi 900 mijë personave dhe ka infektuar më shumë se 28 milionë të tjerë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se asnjë sëmundje në historinë e njerëzimit nuk është analizuar me ritme kaq të shpejta, falë avancimeve në shkencë dhe teknologji.

Por këtë javë kompania farmaceutike “AstraZeneca” dhe shkencëtarët anglezë të Universitetit të Oksfordit njoftuan ndërprerjen e testeve për një produkt eksperimental ndaj koronavirusit të ri.

Lajmi erdhi pasi të paktën një pacient vullnetar shfaqi efekte të rënda anësore në fazën përfundimtare të vaksinimit.

“Mendoj se kjo është gjë e mirë dhe kambanë alarmi për këdo, që të pranojmë faktin se kërkimet shkencore kanë ulje-ngritjet e tyre dhe jo gjithmonë marrin rrugën e drejtë. Por nuk duhet të dekurajohemi tepër. Të dhënat nga fazat 1 dhe 2 janë premtuese dhe rezultatet paraprake të këtyre vaksinave ne i presim në fund të vitit,” deklaroi zyrtarja e OBSH’së.

Nga vaksinat në studim, rreth 30 prej tyre janë në stadin më të avancuar me testet te njeriu, ndërkohë një vaksinë ruse ka nisur t’u shpërndahet personave vullnetarë megjithëse një grup shkencëtarësh një ditë më parë shprehën dyshimet për mënyrën se si u krye studimi i saj.

Në 24 orët e fundit, India vendosi një rekord të ri botëror për infeksionet me kovidin-19, mbi 96,500 raste në ditë duke e çuar totalin mbi 4 mln e gjysmë ndërsa 76 mijë janë viktimat.

India po përjeton bilancin më fatal të pandemisë pas SHBA-së, e ndjekur nga Brazili dhe Rusia.

Vatra fillestare e koronavirusit, Kina, edhe të enjten nuk raportoi asnjë rast të ri me kovid por vetëm 15 të ardhur nga jashtë vendit.

Në Francë, ndërkohë, 10 mijë raste të reja infeksioni shënuan një rekord të ri ditor për shtetin europian, që tani përgatitet të aplikojë masa të reja për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes.

(Kosova Sot Online)