Ushqimet me vetitë më të forta antibakteriale

  • E.K /
  • 09 October 2020 - 12:57
Ushqimet me vetitë më të forta antibakteriale

Disa ushqime, për nga veprimi i tyre, mund të maten me antibiotikët më të fortë.

HUDHRA

Jo vetëm që i mbyt bakteret, por hudhra është efikase edhe te infeksionet me kërpudha dhe viruse, falë substancave fitokimike, sidomos alicinës, e cila ka veti të ngjashme me penicilinën. Hudhra më së miri është që të konsumohet me anë të gojës, meqë kështu mund të veprojë në të gjitha organet e brendshme. Nëse e përdorni për qëllime mjekësore, rëndësi ka prejardhja dhe mënyra e rritjes së hudhrës. Për veprim terapeutik duhet konsumuar 1-2 thelpinj hudhre në ditë. Përpos që vepron si antibiotik, hudhra ka veprim edhe probiotik, duke ndihmuar rritjen e florës së shëndetshme zorrore dhe të baktereve të mira.

MJALTI I BIMËS MANUKA

Mjalti i bimës manuka, e cila rritet në Zelandë të re, ka manifestuar veti të mrekullueshme antibakteriale dhe antimikrobike. Ai shkatërron bakteret që shkaktojnë infeksione të lëkurës, e ndihmon edhe në shërimin e plagëve. Disa studime tregojnë se ky mjaltë është efikas kundër infeksioneve të lukthit të shkaktuara nga bakteri Helicobacter pilori, bile edhe kur mjekimi me antibiotikë nuk është efikas. Ai vepron me efikasitet kundër infeksioneve këmbëngulëse bakteriale të fytit dhe rrugëve të tjera të frymëmarrjes. Veprimin e vet ky lloj mjalti e arrin falë dy përbërësve. Njëri është peroksidi i hidrogjenit, i cili ka veprim të njohur antiseptik dhe tjetri është metil-glioksali, i cili ka veprim të fortë antibakterik. Preferohet që ky mjaltë të kombinohet me biber të Cejlonit, i cili po ashtu ka veprim antibakterial dhe e forcon sistemin imunitar.

XHENXHEFILI

Falë komponentëve bioaktivë, si gingerol, shogaol dhe zigeron, xhenxhefili ka veprim antiinflamator, antioksidues dhe antibakterial. Në Japoni xhenxhefili kaherë përdoret me sushi, me qëllim që, midis tjerash, të pengohet infektimi me ushqim, respektivisht me peshq të papjekur. Studimet kanë treguar se përbërësit aktivë të xhenxhefilit vrasin bakteret patogjene, sikur që janë salmonelat, Listeria dhe Campilobacter. Veprimin më të fortë e kanë xhenxhefili i freskët dhe ai i thartuar. Por, njerëzit që përdorin ilaçe për tëhollimin e gjakut, duhet të kenë kujdes, meqë edhe xhenxhefili ka në efekt të tillë.

KURKUMINA

Mëlmesa indiane me ngjyrë të verdhë është e dobishme për organizmin tonë në shumë mënyra. Përpos që lufton infeksionet, ajo ndikon me efikasitet edhe kundër sëmundjeve serioze sikur që është karcinoma. Substanca aktive kurkumin është treguar të jetë aleat i mirë në luftë kundër sklerozës multiple, e cila në fakt shkaktohet nga inflamacioni, por edhe kundër sëmundjes së Alzhaimerit. Studimet kanë treguar se pluhuri i verdhë vepron me efikasitet kundër bakterit Helicobacter, i cili shkakton ulcerën në lukth, e ndihmon edhe në mjekimin e mukozës së dëmtuar të lukthit. Për qëllime terapeutike, kurkumina është që më së miri të merret në formë të ekstraktit, por mundet edhe të shtohet në gjellë të përditshme, me qëllim të preventivës. 

(Kosova Sot Online)