Ç’është Covidi i gjatë dhe cilët njerëz janë më të rrezikuar të vuajnë prej tij

  • A.P /
  • 21 tetor 2020 - 19:23
Ç’është Covidi i gjatë dhe cilët njerëz janë më të rrezikuar të vuajnë prej tij

Për shumicën e njerëzve, Covid-19 është një sëmundje që zgjat rreth dy javë, por disa kanë luftuar me simptomat, si lodhje, dhimbje e vazhdueshme dhe marrje fryme, për muaj me radhë. Pikërisht kjo gjendje njihet si "Covidi i gjatë". Ai ka një efekt të madh në jetën e njerëzve duke shkaktuar një ndjesi lodhjeje për një kohë të gjatë.

Por cilët njerëz janë më të rrezikuar ndaj “Covidit të gjatë”?

Shkencëtarët thonë se mosha e vjetër dhe pasja e një game të gjerë të simptomave fillestare rrisin rrezikun e “Covidit të gjatë”. Studimi, sipas BBC, vlerëson se 1 në 20 njerëz është i sëmurë për të paktën tetë javë.

Hulumtimi në King's College London tregoi gjithashtu të qenit femër, pesha e tepërt dhe astma rrisin rrezikun. Rezultatet tregojnë se "Covidi i gjatë" mund të prekë këdo, por disa gjëra rrisin rrezikun.

"Pasja e më shumë se pesë simptomave të ndryshme në javën e parë ishte një nga faktorët kryesorë të rrezikut",- tha Dr Claire Steves, nga Kings College London, për BBC News.

Covid-19 është më shumë sesa thjesht një kollë dhe virusi që e shkakton atë mund të prekë organet në të gjithë trupin. Dikush që ka pasur një kollë, lodhje, dhimbje koke, diarre dhe ka humbur ndjenjën e nuhatjes, do të ishte në rrezik më të lartë se dikush që kishte vetëm një kollë. Rreziku rritet gjithashtu me moshën, veçanërisht mbi 50 vjeç dhe është më i lartë te femrat.

"Ne kemi parë nga të dhënat e hershme që burrat ishin në rrezik shumë më të madh ta kalonin sëmundjen më rëndë dhe fatkeqësisht të vdisnin nga Covid, por duket se gratë janë më të rrezikuara nga Covidi i gjatë”, -tha Dr Steves.

Asnjë gjendje e mëparshme mjekësore nuk ishte e lidhur me “Covidin e gjatë” përveç astmës dhe sëmundjes së mushkërive. Simptomat e sakta të Covidit të gjatë ndryshojnë nga një pacient te tjetri, por lodhja është e zakonshme.

Studimi vlerëson se:

Një në shtatë njerëz është i sëmurë për të paktën 4 javë

Një në 20 njerëz është i sëmurë për të paktën 8 javë

Një në 45 njerëz është i sëmurë për të paktën 12 javë