Ilaçi për ngërç do të testohet si trajtim i mundshëm për COVID-19

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 12:06
Ilaçi për ngërç do të testohet si trajtim i mundshëm për COVID-19

Një ilaç kundër inflamacionit, i quajtur colchicine, që në kushte normale përdoret për trajtimin e ngërçit, do të testohet si trajtim i mundshëm për personat e prekur nga sëmundja COVID-19.

Ky do të jetë një ndër testimet më të mëdha dhe do të kryet nga një institut britanik. Pjesë e testimit do të jenë së paku 2.500 pacientë, shkruan The Guardian.

“Ilaçi Colchicine është ilaç tërheqës për t’u vlerësuar në testim për shkak se kuptohet mirë, nuk është i shtrenjtë dhe është i qasshëm gjerësisht”, tha profesori i Universitetit të Oksfordit, Peter Horby, që do ta hulumtojë këtë testim.

Kjo substancë kushton rreth 124 dollarë për 30 kapsula në një faqe të internetit që merret me çmimin e ilaçeve.

Shkencëtarët që do ta organizojnë këtë testim thanë se inflamacioni luan rol të madh te pacientët me COVID-19 dhe se deksametazoni, një ilaç tjetër kundër inflamacionit, tashmë është dëshmuar se mund ta pakësojë numrin e vdekjeve te pacientët në gjendje të rëndë.

Ndryshe, shumë shtete janë në garë për zbulimin dhe hedhjen në treg të një vaksine efektive kundër koronavirusit sa më shpejt. Dy vaksina në Shtetet e Bashkuara tashmë janë treguar 95 për qind efikase pas testimit dhe ka shpresë që ato do të miratohen për përdorim.

(Kosova Sot Online)