Pse duhet të kontrolloni zemrën pasi keni kaluar koronavirusin

  • E.K /
  • 25 December 2020 - 11:02
 Pse duhet të kontrolloni zemrën pasi keni kaluar koronavirusin

Për pacientët që janë shëruar nga COVID-19, dëshira për t’u kthyer në jetën normale mund të jetë mbizotëruese, por, përpara se rinisni rutinën tuaj të zakonshme, mjekët u bëjnë thirrje të mbijetuarve të COVID-19 të kontrollojnë më parë zemrat e tyre, sipas një artikulli të botuar në faqen mjekësore “Healthline”.

“Dimë se pacientët që kanë pasur COVID-19, pavarësisht nga trajtimet me ilaçe dhe ashpërsia e sëmundjes, kanë përjetuar shumë fenomenin inflamator dhe mpiksjen në zemër dhe mushkëri, që mund të dëmtojnë rrjedhën e gjakut në këto organe”, tha Dr. Thomas Gut, bashkëpunëtor në katedrën e Mjekësisë, në Spitalin Universitar të Staten Island.

Kjo do të thotë se, edhe pse tipikisht COVID-19 shoqërohet me simptoma në mushkëri, efektet anësore kardiake janë po aq të rëndësishme për t’u pasur parasysh.

Pothuajse një e katërta e personave të shtruar në spital me COVID-19 kanë zhvilluar lëndime të miokardit, dëmtim të indit të zemrës, si edhe kanë zhvilluar sëmundje tromboembolike ose mpiksje të gjakut dhe aritmi.

“Ne jemi të shqetësuar për zemrën, sepse ka shumë të dhëna që tregojnë përfshirjen e muskujve të zemrës me virusin”, tha Dr. Sean Heffron, profesor asistent në Departamentin e Mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë “Grossman”, Nju Jork.

Sipas Heffron, fillimi shumë shpejt i aktiviteteve sportive ose, thjesht, marrja përsipër e shumë gjërave, pa qenë të vetëdijshëm për gjendjen e zemrës, mund të ketë efekte negative.

Kjo ndodh për shkak të efekteve afatgjata të COVID-19, të cilat janë ende duke u hulumtuar.

(Kosova Sot Online)