Shkencëtarët i lidhin simptomat e gjata të Covidit me ato të Ebolës

  • E.K /
  • 29 January 2021 - 09:15
Shkencëtarët i lidhin simptomat e gjata të Covidit me ato të Ebolës

Shkencëtarët janë duke i studiuar ngjashmëritë mes simptomave afatgjata të Covidit me simptomat e vazhdueshme që i kanë përjetuar të mbijetuarit e Ebolës dhe virusit Chikungunya me shpresë që të zbulojnë trajtime të reja për përmirësimin e shëndetit të të mbijetuarve.

Njësoj si pacientët me Covid që u ka zgjatur shumë, të mbijetuarit e këtyre dy viruseve të tjera shpesh përjetojnë simptoma të gjata që mund t’ua vështirësojnë punën dhe funksionin në jetën e përditshme, shkruan The Guardian.

Në rastin e Ebolës, gati tri të katërtat e të mbijetuarve ende janë duke përjetuar simptoma një vit pas infeksionit fillestar dhe nganjëherë për një kohë shumë më të gjatë, përfshirë dhimbjen në muskuj dhe kyçe, dhimbje koke të ngjashme me migrenën, probleme të të parit dhe plogështi.

Krahasimi është i ngjashëm edhe me virusin Chikungunya, i cili përhapet përmes mushkonjave dhe që i prek më shumë njerëzit në Afrikë dhe Azi. Ky virus shkakton temperaturë, ethe dhe dhimbje në kyçe. Rreth një e treta e të mbijetuarve pësojnë edhe artrit që zgjat me vite ose simptoma të tjera.

“Është lloji i njëjtë i diskutimeve që i kemi për Covidin. Bëhet fjalë për njerëz jeta e të cilëve kurrë nuk ka qenë më e njëjtë, njerëz që përshkruajnë dhimbje në kyçe, lodhje, probleme të njohjes dhe tërë këtë listë të njohur”, tha Danny Altmann, profesor i imunologjisë në Kolegjin Imperial të Londrës.

Ekipi i tij hulumtues tash për tash është duke i analizuar edhe simptomat e koronavirusit përmes gjakut të pacientëve të shëruar nga Covid-19. “Nuk është e pamundur që këta pacientë të kenë disa shenja inflamatore në aspektin afatgjatë, ashtu siç i shohim te Ebola”, tha ai.

(Kosova Sot Online)