Pse duhet t’i shmangni operacionet gjatë pasdites? Ja çfarë thonë mjekët

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 08:06
Pse duhet t’i shmangni operacionet gjatë pasdites? Ja çfarë thonë mjekët

Koha gjatë ditës kur bëni një operacion mund të ndikojë në rezultatin e tij.

Ky ishte zbulimi i një studimi të ‘Universitetit Duke’ i vitit 2006, i botuar në revistën ‘Cilësia dhe Siguria në Shëndetësi’, shkruan “CNN”.

Studiuesit analizuan operacione të cilat ishin realizuar midis orës 3 dhe 4 pasdite. Kishte një normë më të lartë komplikacionesh, të vjellash dhe dhimbje pas operacionit.

Pse ndodh kjo? Sipas Dr. Anthony Youn, dyshohet tek dy faktorë kryesorë.

Trupat tanë ndjekin ritmet natyrore ‘cirkadiane’, të cilat rregullojnë ciklin e gjumit / zgjimit, aktivitetin e valëve të trurit dhe disa funksione trupore. Këto ritme ‘cirkadiane’ aktivizohen midis orës 3 dhe 5 pasdite, çdo ditë, duke bërë që shumë prej nesh të ndjehemi të përgjumur.

Spanjollët me sa duket e zbuluan këtë shumë kohë më parë kur krijuan gjumin e pasdites. Dhe George Costanza i markës së “Seinfeld” nuk është i vetmi që dremit në punë.

‘Nike’ dhe ‘Google’ thuhet se kanë krijuar dhoma zyrtare të gjumit në mënyrë që punonjësit e tyre të mund të merren me aktivizimin ‘cirkadian’ të pasdites.

Për fat të keq, nuk ka asnjë dhomë dremitjeje në sallën e operacionit. Pra, është padyshim e mundur që marrja e një rasti nga ‘doktori i përgjumur’ të luajë një rol të madh tek efektet anësore që vijnë nga operacionet e bëra në mesditë.

Por ka një faktor tjetër që është ndoshta më i rëndësishëm.

Shumica e anëtarëve të ekipeve kirurgjikale arrijnë në punë ndërmjet orës 6:30 dhe 7 të mëngjesit. Kjo do të thotë, kur llogaritni dhe një pushim dreke 30 minutash, ndërrimet tetë orëshe të shumicës së anesteziologëve, ose infermierëve dhe teknologëve kirurgjikalë, përfundojnë në orën 3 pasdite.

Ka raste kur stafi mund të ndërrohet direkt pas procesit të operacionit. Kështu që kush të vë në gjumë nuk do të jetë domosdoshmërisht ai që të zgjon.

Megjithëse anëtarët e ekipit janë shumë të informuar mbi detajet kryesore për pacientin, mund të mos i përcjellin me korrektësi tek zëvendësuesit e turnit tjetër. Këto detaje zakonisht nuk janë kërcënuese për jetën, por gjithsesi mund të kenë një ndikim në rezultatin e një pacienti.

Për shembull, anestezistja origjinale mund të harrojë të informojë zëvendësuesin e saj se pacienti nuk i përgjigjet mirë një ilaçi të caktuar. Pra, a ka ndonjë gjë që mund të bëhet për të parandaluar ndryshimet e ndërrimit në sallën e operacionit?

Jo në të vërtetë. Të gjithë jemi njerëz. Ofruesit e kujdesit shëndetësor nuk mund të punojnë me orë të pafundme ose të pritet të jenë plotësisht pa gabime. Anestezistët dhe infermierët mund të vijnë e të shkojnë.

Kirurgu juaj duhet të jetë me ju gjatë gjithë kohës. Por nëse ai ose ajo ju jep një zgjedhje midis operacionit në 7:30 të mëngjesit ose 3 pasdite, mendohuni. Pastaj zgjidhni 7:30 të mëngjesit.

(Kosova Sot Online)