Përfundimisht, a na ndihmojnë Vitamina C dhe Zinku të luftojmë Covid-in

  • G.G /
  • 14 February 2021 - 08:10
Përfundimisht, a na ndihmojnë Vitamina C dhe Zinku të luftojmë Covid-in

Përballja e globit me pandeminë Covid-19 do të sillte një rritje marramendëse të kërkesës për vitaminë C dhe Zink. Njerëzit nxituan në farmacitë më të afërta për t’u furnizuar mjaftueshëm, në rast të një kaosi apo mbylljeje të tejzgjatur. Ajo që sot shkenca vërteton është se si vitamina C, ashtu edhe Zinku nuk na shpëtojnë nga Covid-i.

Ndonëse vitamina C dhe Zinku përdoren për të luftuar ftohjen dhe gripin, njerëzit e prekur nga koronavirusi e të izoluar në shtëpi, të cilët u morën nën vëzhgim, nuk rezultuan të kishin ndonjë përfitim prej tyre. Rezultatet e studimit që u publikua në “JAMA Network Open” ishin tepër zhgënjyese, lidhur me optimizmin e njerëzimit ndaj vitaminës në fjalë dhe Zinkut.

Jo vetëm kaq, por madje teprica me ilaçe mund të jetë tepër e rrezikshme. Mësoni efektet anësore të Vitaminës C për të kuptuar kur është momenti që duhet të ndaloni:

Shumë vitaminë C mund të shkaktojë probleme me tretjen: Efekti anësor më i zakonshëm i marrjes së lartë të vitaminës C është shqetësimi i tretjes. Në përgjithësi, këto efekte anësore nuk ndodhin nga ngrënia e ushqimeve që përmbajnë vitaminë C, por përkundrazi nga marrja e vitaminës në formë suplementi. Ka shumë të ngjarë të përjetoni simptoma të problemeve të tretjes nëse konsumoni më shumë se 2,000 mg në të njëjtën kohë.

Vitamina C mund të shkaktojë mbingarkesë hekuri: Vitamina C dihet se rrit thithjen e hekurit nga organizmi jonë. Mund të lidhet me hekurin e llojit jo-hem, i cili gjendet në ushqimet bimore. Hekuri jo-heme nuk absorbohet nga trupi juaj me aq efikasitet sa hekuri I llojit heme, lloji i hekurit që gjendet në produktet shtazore. Vitamina C lidhet me hekurin jo-heme, duke e bërë më të lehtë për trupin tuaj që të thithë atë. Ky është një funksion i rëndësishëm, veçanërisht për individët që marrin pjesën më të madhe të hekurit nga ushqimet me bazë bimore. Një studim tek të rriturit zbuloi se thithja e hekurit u rrit me 67% kur ata morën 100 mg vitaminë C me një vakt. Sidoqoftë, individët të cilët kanë rrezik për grumbullimin e tepërt të hekurit në trup ndryshe të quajtur hemokromatoza, duhet të jenë të kujdesshëm me suplementet e vitaminës C.

Marrja e vitaminës C në doza të larta mund të çojë në krijimin e gurëve në veshka: Teprica e vitaminës C nxirret nga trupi si oksalat, një produkt i mbeturinave trupore. Oxalati zakonisht del nga trupi përmes urinës. Sidoqoftë, në disa rrethana, oksalati mund të lidhet me minerale dhe të formojë kristale që mund të çojnë në formimin e gurëve në veshka.

(Kosova Sot Online)