7 variante të reja në SHBA! Ç’thuhet në studimin më të fundit

  • G.G /
  • 17 February 2021 - 12:18
7 variante të reja në SHBA! Ç’thuhet në studimin më të fundit

Në kohën kur frika ndaj varianteve të Covid-19 është rritur ndjeshëm, një studim i ri zbuloi praninë e shtatë llojeve të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përmbajnë një mutacion të ngjashëm. Mendohet se llojet e reja janë shfaqur që në korrik të vitit 2020.

“Është e qartë se diçka po ndodh me këtë mutacion,” tha Jeremy Kamil, virolog në Louisiana State University.

“New York Times” raporton se shkencëtarët ende nuk kanë arritur në përfundimin nëse këto mutacione e bëjnë apo jo virusin më ngjitës. Sidoqoftë, ata mendojnë se mutacioni mund të jetë shfaqur në një gjen që vendos se si virusi hyn në qelizat njerëzore.

“Unë mendoj se ka një nënshkrim të qartë të një përfitimi evolucionar,” tha Kamil.

Në janar, virologu vuri re një mutacion të panjohur në një numër mostrash. Në vëzhgimin e mëtejshëm, Kamil zbuloi se të gjitha mutacionet e zbuluara prej tij i përkisnin të njëjtës prejardhje.

Studiuesit besojnë se të gjitha variantet u shpërndanë me shpejtësi në të gjithë vendin për shkak të sezonit të festave dhe shkeljes së rregullave në udhëtime. Ekziston gjithashtu mundësia që ato të kenë ardhur nga grumbullimet në bare apo fabrika. Për të kuptuar me të vërtetë se çfarë po bëjnë mutacionet, shkencëtarët do të duhet të analizojnë një mbledhje shumë më të madhe të mostrave.

(Kosova Sot Online)