Varianti i Kalifornisë shumë shqetësues, ç’zbuluan 2 studimet e reja

  • G.G /
  • 25 shkurt 2021 - 10:33
Varianti i Kalifornisë shumë shqetësues, ç’zbuluan 2 studimet e reja

Dy studime të reja zbulojnë se varianti i Kalifornisë, i cili u shfaq vitin e shkuar është shumë më infektues dhe imun ndaj vaksinave sesa Covid-i fillestar. Lloji i ri, i njohur si B.1.427 / B.1.429 – ose shpesh i cilësuar edhe si CAL.20C / L452R – besohet të jetë arsyeja që fshihet pas vdekjeve të shumta që u panë gjatë Ditës së Falenderimeve dhe festave të fundvitit në Kaliforni.

Një nga vëzhgimet shkencore zbuloi se varianti në fjalë krijon dy herë më shumë grimca virusi brenda trupit të njeriut dhe se rastet e reja po dyfishohen afërsisht çdo dy  javë e gjysmë.

Ndërkohë, studimi tjetër vuri re se rastet e reja u rritën me më shumë se 200 përqind në një lagje të San Franciskos gjatë muajve të fundit. Gjatë kësaj kohe, ekspertët kanë qenë të shqetësuar për variantin e Mbretërisë së Bashkuar, të njohur si B.1.1.7, i cilësuar si tepër problematik. Por edhe varianti i Kalifornisë është po aq shqetësues dhe mund të jetë përgjegjës për 90 përqind të infeksioneve në vend, deri në fund të marsit, thanë shkencëtarët për “Los Angeles Times”.

Diçka e tillë rrit mundësinë e një skenari të tmerrshëm, atë të ndërthurjes së dy lloje të mësipërme dhe krijimin e mutacioneve të reja edhe më vdekjeprurëse.

“Djalli është tashmë këtu”, tha për “Los Angeles Times” Dr. Charles Chiu, një profesor i mjekësisë laboratorike dhe ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë, San Franciso.

Më tej vijoi:

“Do të doja të ishte ndryshe. Por shkenca është shkencë”.

Varianti i Kalifornisë u identifikua për herë të parë në maj të vitit 2020.

(Kosova Sot Online)