Metodë e re për diagnostikimin e artritit

  • E.K /
  • 13 March 2021 - 10:28
Metodë e re për diagnostikimin e artritit

Është zbuluar një metodë e re për diagnostikimin e osteoartritit, formës më të shpeshtë të artritit. Aktualisht nuk ka asnjë analizë për zbulimin e kësaj sëmundjeje, gjë që ndikon që ajo të zbulohet vetëm pasi që sëmundja të ketë përparuar aq shumë, sa që metoda e vetme e shërimit, të ketë mbetur operacioni. Metoda e re diagnostikuese është shpikur nga shkencëtarët britanikë. Me anë të kësaj analize të thjeshtë shpresohet se artriti do të zbulohet një dekadë më herët sesa tani, gjë që ofron mundësi më të mëdha shërimi dhe parandalimi.

Forma më e rëndomtë e artritit, osteoartriti, shkaktohet nga shtjerja e kërcit të nyjave. Metoda e zbuluar nga shkencëtarët e Universitetit "Warwick" tani mundëson diagnostikimin e kësaj sëmundjeje vetëm nga një pikë gjak, meqë është parë se gjaku i personave me këtë sëmundje përmban nivele më të larta të dy përbërësve, sesa gjaku i njerëzve të shëndoshë. Saktësia e kësaj analize është tepër e lartë, kurse kostoja jo fort e madhe.

(Kosova Sot Online)