Studim: Një në tre pacientë me Covid-19 diagnostikohet me probleme mendore

  • E.K /
  • 07 April 2021 - 08:18
 Studim: Një në tre pacientë me Covid-19 diagnostikohet me probleme mendore

Sipas një studimi, një në tre persona që kanë qenë të sëmurë rëndë me Covid-19 diagnostikohet me ndonjë problem neurologjik ose psikiatrik brenda gjashtë muajve të infektimit me koronavirus.

Studimi vëzhgues, që është më i madhi i këtij lloji, përdori të dhëna elektronike shëndetësore të mbi 236 mijë pacientëve, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, dhe gjeti se 34 për qind e tyre kanë përjetuar probleme neurologjike ose probleme të shëndetit mendor pas infektimit. Problemi më i shpeshtë ka qenë ankthi.

Ekspertët shëndetësorë paralajmëruan se sistemi shëndetësor duhet të jetë i furnizuar me burime për t’u marrë me pacientët e prekur nga këto probleme. Ata vlerësojnë se efekti ndaj shërbimeve shëndetësore mund të ndihet për shumë vite, shkruan The Guardian.

Problemet tjera mendore si demenca ishin më të rralla, por jo të pazakonshme te pacientët që kanë qenë në gjendje më të rëndë. Nga pacientët që kanë qenë në kujdes intensiv, 7 për qind e tyre pësuan sulm në tru dhe gati 2 për qind demencë.

Pas marrjes parasysh të karakteristikave themelore shëndetësore, si mosha, gjinia, etnia dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore, ekzistonte rrezik 44 për qind më i lartë pas infektimit me koronavirus sesa pas gripit.

Profesori Paul Harrison, udhëheqës i këtij studimi, nga Universiteti i Oksfordit, tha: “Këto janë të dhëna të botës reale nga një numër i madh i pacientëve. Ato e vërtetojnë shkallën e lartë të diagnostikimeve psikiatrike që gjithashtu e prekin sistemin nervor.”

(Kosova Sot Online)