Studim: Një dozë e vaksinës së Pfizer-it ose AstraZeneca-s ofron 65 për qind mbrojtje

  • G.G /
  • 23 April 2021 - 10:26
Studim: Një dozë e vaksinës së Pfizer-it ose AstraZeneca-s ofron 65 për qind mbrojtje

Sipas një studimi, vetëm një dozë e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” ose “Pfizer” e pakëson rrezikun për infektim me koronavirus për gati dy të tretat dhe i mbron të moshuarit e personat e ndjeshëm aq sa të rinjtë dhe njerëzit e shëndoshë.

Rezultatet nga studimi i Universitetit të Oksfordit dhe Zyrës për Statistika Kombëtare janë shtytje e mirëpritur për programin e vaksinimit dhe janë të parat që e tregojnë ndikimin në infektimet e reja dhe reagimin imunitar në një grup të madh të personave të rritur.

Duke e ulur shkallën e infeksionit, vaksinat jo vetëm që do t’i parandalojnë hospitalizimet dhe vdekjet, por gjithashtu do të ndihmojnë në shkëputjen e zinxhirëve të transmisionit dhe kështu do ta pakësojnë rrezikun nga përhapja e re e virusit në kohën kur Britania po i lehtëson masat kufizuese, shkruan The Guardian.

Hulumtuesit i analizuan rezultatet e testimit për Covid-19 nga më shumë se 350 mijë njerëz në Britani nga dhjetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti. Ata zbuluan se 21 ditë pas marrjes së dozës së parë, infeksionet e reja ranë për 65 për qind.

Vaksinat ishin më efektive kundër rasteve me simptoma sesa rasteve pa simptoma, duke e ulur shkallën e infeksionit për 72 për qind tek të parat dhe 57 për qind tek të fundit në krahasim me popullsinë që nuk ishte vaksinuar.

Doza e dytë e vaksinës së kompanisë “Pfizer” e shtoi edhe më shumë mbrojtjen nga virusi, duke bërë që rastet me simptoma të shënojnë rënie për 90 për qind dhe rastet pa simptoma për 70 për qind.

(Kosova Sot Online)