Ilaçet natyrore kundër dhembjes së nyjave

  • E.K /
  • 17 May 2021 - 11:31
Ilaçet natyrore kundër dhembjes së nyjave

Dhembja e nyjave nuk vjen vetëm si pasojë e pleqërisë, por edhe e inflamacionit. Ja disa ilaçe natyrore për ta luftuar atë.

ÇAJI NGA XHENXHEFILI DHE SHAFRANI I INDISË

Si xhenxhefili, po ashtu edhe shafrani i Indisë kanë veti antiinflamatore, të cilat janë esenciale për trajtimin e artritit reumatoid dhe osteoartritit. Sa iu përket dhembjeve të nyjave, sidomos është folur për shafranin e Indisë, i cili përmban një përbërës aktiv të quajtur kurkuminë. Kurkumina është një agjent i fuqishëm antioksidues, i cili, përpos që lehtëson lëvizjet e nyjave, eliminon edhe helmet nga organizmi. Kurkumina mund të ndikojë edhe në uljen e nivelit të enzimave që shkaktojnë inflamacionin. Ju mund ta pini këtë çaj si të këtillë, apo ta merrni atë në formë të kapsulave. Çaji në fjalë mund ta përmirësojë edhe qarkullimin e gjakut.

VAJI EKSTRA I VIRGJËR I ULLIRIT

Përbërësit e vajit të ullirit ndihmojnë në lubrifikimin e nyjave dhe në zvogëlimin e dhembjes së shkaktuar nga artriti. Një përbërës i vajit ekstra të virgjër të ullirit, që quhet oleokantal, mund të ndihmojë në zvogëlimin e inflamacionit dhe të dhembjes, duke zvogëluar sasinë e enzimave që shkaktojnë dhembje. Kjo substancë vepron si aspirinë natyrore. Jo çdo vaj i ullirit mund të përdoret për këtë qëllim. Përcaktohuni për atë që është përfituar në temperaturë të ulët, meqë temperaturat e larta e shkatërrojnë oleokantalin. Për ta zvogëluar dhembjen e nyjave, fërkoni 2-3 lugë të vajit të ullirit në vendin që ju dhemb dhe bëni masazh të lehtë. Bëjeni këtë dy herë në ditë.

BANJA ME SULFAT TË MAGNEZIT

Sulfati i magnezit, apo sikur që njihet edhe kripa Epsom, paraqet një substancë natyrore, e cila është efikase kundër dhembjes së nyjave. Kjo kripë ndikon shumë mirë sidomos në pjesët e trupit, të cilat i nënshtrohen një presioni të madh, sikur që janë nyjat e duarve dhe të këmbëve. Ju nevojitet një enë e madhe, ca ujë të vakët dhe gjysmë filxhani kripe Epsom. Mbusheni enën me ujë të vakët dhe më pas shtojeni kripën Epsom. Përziejeni mirë këtë ujë dhe lëreni që të qëndrojë rreth 1 minutë. Nëse pjesa ku ndjeni dhembjen gjendet më lart, në trup, sikur që janë gjunjët apo bërrylat, atëherë mundeni ta përgatitni këtë përzierje në vaskë dhe të futeni me tërë trupin. Qëndroni në këtë ujë për 15 minuta.

GJETHET E LULERADHIQES

Luleradhiqja është e pasur me vitaminë C dhe A, të cilat mund të ndihmojnë në largimin e toksineve nga gjaku dhe të përmirësojnë indet e dëmtuara. Thuhet po ashtu se luleradhiqja përmban vajin linoleik, i cili ka veti antiinflamatore. Ky acid yndyror rregullon reagimin e sistemit imunitar dhe parandalon inflamacionet. Gjethet e luleradhiqes mund t'i shtoni në ushqimet tuaja të preferuara, apo t'i zieni dhe të përgatitni çaj. Organizmi ynë i nënshtrohet një stresi të madh çdo ditë të lume. Herët apo vonë, do të ballafaqohemi me pasojat e veprimeve që i kemi bërë kur kemi qenë të ri. Për këtë shkak ka rëndësi të madhe që të mësoni rreth asaj se çka e shkakton dhembjen e nyjave. Artriti reumatoid është një sëmundje komplekse, e cila mbetet mister për mjekët. Por, këto preparate natyrore janë efikase për largimin e dhembjes së shkaktuar nga kjo sëmundje.

(Kosova Sot Online)