Ilaçet shtëpiake, të propozuara nga Dr. Oz

  • E.K /
  • 20 May 2021 - 10:24
Ilaçet shtëpiake, të propozuara nga Dr. Oz

Dr. Mehmet Oz është një mjek i njohur amerikan, me prejardhje turke. Ja cilat janë propozimet e tij natyrore në lidhje me disa sëmundje.

MIGRENA

Nëse jeni të prirë që të keni dhembje të kokës, atëherë provojeni një përzierje aromatike. Vaji esencial i mendrës është një ilaç natyror, i cili është efikas dhe mund të sigurohet me lehtësi. Vendosni një sasi të vogël të këtij vaji në tëmtha dhe lëreni që të veprojë për 15 deri 30 minuta. Vetitë antiinflamatore të mendrës do t'ua zbusin dhembjen e kokës.

DHEMBJA E FYTIT

Mund ta përgatisni një shurup të shpejtë për ta larguar dhembjen e fytit, apo kollitjen, me përbërësit që i keni në kuzhinën tuaj. Përzieni ¼ të lugës së çajit me biber djegës, 1 lugë gjelle uthull të mollës, 2 lugë gjelle ujë dhe 1 lugë gjelle mjaltë.

LËKURA PA SHKËLQIM

Doni që lëkura juaj të shkëlqejë nga shëndeti? Mos kërkoni ilaç tjetër pos majonezës në frigoriferin tuaj. E pasur me vaj soje, majoneza mund t'ia kthejë elasticitetin lëkurës tuaj.

FLOKËT E DËMTUAR

Vaji i ullirit është i dobishëm për flokët tuaj, duke ua dhënë atyre një shkëlqim të bukur. Thartirat yndyrore mono të ngopura ua mbrojnë flokët dhe i bëjnë ato më të buta dhe më lehtë të menaxhueshme. Lyeni flokët me vaj ulliri dhe mbuloni me një kapelë dushi. Leni që të qëndrojnë 10 minuta, lani dhe përgatituni që të mahniteni nga rezultati më se i dëshiruar!

FRYRJA

Çaji i luleradhiqes është një diuretik i butë, i cili po ashtu ndihmon në largimin e sasisë së tepërt të ujit nga organizmi. Ai stimulon vrerin që të zbërthejë ushqimet e yndyrshme, të cilat ndikojnë në fryrjen e barkut. Provoni ta pini nga një gotë të këtij çaji në ditë.

DHEMBJA E SHPINËS

Mundohuni ta largoni dhembjen e shpinës me anë të masazhit me akull mendre. Masazhi, vaji i mendrës dhe akulli janë largues të dëshmuar të dhembjes. Filloni me ngrirjen e përzierjes së një filxhani ujë me dy pika të vajit të mendrës (në një filxhan të letrës). Kur të forcohet akulli, largojeni filxhanin e letrës dhe luteni dikë që me këtë akull t'ua bëjë një masazh të shpinës.

(Kosova Sot Online)