Çfarë duhet të dimë për variantin Delta të COVID-19 që po rrezikon Evropën

  • A.P /
  • 13 June 2021 - 12:33
Çfarë duhet të dimë për variantin Delta të COVID-19 që po rrezikon Evropën

Varianti Delta i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në Indi, SHBA e Britani, ndërsa pas lehtësimit të masave, vlerësohet se rrezikon Evropën.

Por sa është i rrezikshëm ky variant, sidomos në kohën kur shtete të shumta, përfshirë këtu edhe Kosovën, kanë liruar masat mbrojtëse ndaj COVID-19?

Varianti Delta i COVID-19 është identifikuar për herë të parë në muajin prill në Indi.

Tashmë ky variant është dominues në Britaninë e Madhe dhe kërcënon heqjen e kufizimeve që janë paraparë të bëhen më 21 qershor.

Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent.

Ndërsa, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëruan se varianti Delta është “gati të kapë” të gjithë Evropën, pasi dhjetëra vende kanë hequr kufizimet.

Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar nga varianti Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital se sa ata të infektuar me variantin Alpha.

Ndërsa, ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti Delta është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.

Ndërsa, simptomat e infektimit me këtë variant janë të njëjta si ato të varianteve tjera: Ethe, kollitje, gulçim, lodhje, diarre, dhimbje koke e trupi.

A janë efektive vaksinat kundër variantit Delta të COVID-19?

Vaksinat janë vlerësuar tejet të nevojshme për luftimin e pandemisë.

Ndonëse vaksinat aktuale janë krijuar duke u bazuar në variantin origjinal të COVID-19, ato përsëri vlerësohet se ofrojnë mbrojtje edhe ndaj varianteve tjera të këtij virusi.

Megjithatë ende nuk dihet saktësisht se sa mbrojtje japin vaksinat ndaj  varianteve të reja, ndonëse vlerësohet se është e vështirë që këto mutacione t’i bëjnë të padobishme vaksinat.

Megjithatë, për t’u mbrojtur nga varianti Delta i COVID-19, konsiderohet e rëndësishme marrja e dy dozave të vaksinës.

Një studim i kryer nga qeveria e Britanisë, rezultoi se vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca ishin shumë efektive kundër variantit Delta.

Sipas studimit, vaksina Pfizer ishte 88% efektive kundër sëmundjes simptomatike dy javë pas dozës së dytë dhe vaksina AstraZeneca ishte 60% efektive dy javë pas dozës së dytë.


(Kosova Sot Online)