A mundet Inteligjenca Artificiale të identifikojë njerëzit që rrezikojnë të preken nga Alzheimer?

  • E.K /
  • 25 qershor 2021 - 15:18
 A mundet Inteligjenca Artificiale të identifikojë njerëzit që rrezikojnë të preken nga Alzheimer?

Çdo vit diagnostikohen afërisht 7 milion raste të reja me sëmundjen e Alzheimer-it, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Fazat e para të sëmundjes shpesh neglizhohen, por një grup studiuesish që po drejtojnë disa teste në Spitalin King College në Londër, besojnë se kanë gjetur një metodë që mund të jetë vendimtare në ndryshimin e kësaj situate.

NHS po zhvillon disa eksperimente me një mjet të komanduar nga Inteligjenca Artificiale, të krijuar nga kompania britanike Cognetivity, që është dizajnuar posaçërisht për të diagnostikuar dëmtime të lehta konjitive – një çrregullim që besohet gjerësisht të jetë pararendës i Alzheimer-it.

“Ajo që ne po matim në të vërtetë, është shpejtësia e përpunimit të informacionit,” tha Paul Sawyer, Drejtori Operativ i kompanisë, Congetivity.

“Është fuqia thelbësore përpunuese e trurit, dhe ne e bëjmë këtë duke e ekspozuar subjektin ndaj një sekuence me imazhe që zgjasin për një kohë të shkurtër. Praktikisht, ato shfaqen për një moment dhe ne e pyesim subjektin nëse pa figurën e një kafshe në imazh”.

Sipas Sawyer, ‘animacioni’ ose dallimi i stimujve që krijohen kur ne shohim një figurë që lëviz ose një kafshë, është një karakteristikë e lindur e trurit të njeriut. Testi vlerëson sa mirë arrin truri ta bëjë këtë dallim dhe mënyrën se si ai e përpunon informacionin që na vjen nga këta stimuj.

“Nuk është një test që diagnostikon sëmundjen, por është një test që mat performancën. Ky tregues është hapi i parë që na ndihmon të bëjmë një diagnozë të mundshme të sëmundjes së Alzheimer-it,” shpjegon profesor Dag Aarsland, drejtor i katedrës së neurologjisë në King’s College, në Londër.

Agjencia Federale Amerikane e Ushqimit dhe Barnave sapo ka aprovuar përdorimin e një ilaçi të ri që pretendon të ndihmojë në zbulimin e pacientëve që mund të jenë në risk për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Por, aprovimi i përshpejtuar i këtij ilaçi është parë si një çështje mjaft kontroverse duke qenë se shumë ekspertë kanë ngritur pretendimin se ende nuk janë bërë mjaftueshëm teste klinike.

(Kosova Sot Online)