Me mjetin e ri për dobësim s’mund ta hapni gojën më shumë se 2 mm

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 14:01
Me mjetin e ri për dobësim s’mund ta hapni gojën më shumë se 2 mm

Një mjet për humbjen e peshës që përdor magnet për të ndaluar njerëzit që ta hapin gojën e tyre mjaftueshëm sa për të ngrënë ushqime të ngurta është krijuar nga shkencëtarët në mënyrë që ta trajtojë mbipeshën.

Pajisja, e zhvilluar nga profesionistë mjekësorë nga Universiteti i Otagos në Zelandën e Re dhe shkencëtarë nga Leeds në Mbretërinë e Bashkuar, mund të vendoset nga dentistët dhe përdor komponentë magnetikë me bulona mbyllës.

Megjithatë është kritikuar shumë në internet, derisa nga shumëkush është krahasuar me një pajisje torturimi mesjetare.

Universiteti i Otagos shkroi në Twitter se kjo është një pajisje për humbjen e peshës “për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë globale të mbipeshës: një pajisje orale që kufizon një person në një regjim veç me ushqime të lëngshme”.

E quajtur DentalSlim Diet Control, pajisja lejon përdoruesit e saj që ta hapin gojën vetëm 2 mm. Fillimisht u testua në shtatë gra të shëndetshme me mbipeshë nga Dunedin në Zelandën e Re për dy javë, të cilave iu dha një dietë e lëngshme me kalori të ulët.

Por, disa pjesëmarrës të kësaj faze testuese u ankuan se pajisja ishte e vështirë për t’u përdorur, pasi shkaktonte shqetësime me të folurit e tyre. Ata thanë se ndiheshin të tensionuar dhe se “jeta në përgjithësi ishte më pak e kënaqshme”.

Një pjesëmarrës nuk i ndoqi rregullat dhe në vend të kësaj konsumoi ushqime që nuk duhej, si çokollata duke i shkrirë ato.

(Kosova Sot Online)