Pse te disa persona ka reaksione pas vaksinimit e te disa të tjerë jo?

  • A.P /
  • 08 July 2021 - 19:36
Pse te disa persona ka reaksione pas vaksinimit e te disa të tjerë jo?

Drejtori në detyrë i Klinikës Infektive, Arben Vishaj ka treguar se sa është e rrezikuar Kosova nga varianti Delta, derisa shumë vende të botës tashmë po ballafaqohen me këtë variant të ri të COVID-19.

Vishaj gjithashtu ka folur edhe për procesin e vaksinimit dhe ka shpjeguar pse te disa persona ka reaksione pas vaksinimit e te disa të tjerë jo.

“Në vendet e tjera është raportuar për praninë e variantit Delta dhe natyrisht se edhe Kosova nuk është imune. Një formë e tillë padyshim që pritet se do të vijë në fazat e mëvonshme, mirëpo Klinika Infektive dhe institucionet e tjera shëndetësore janë duke përcjellë ditë për ditë situatën epidemiologjike në vendin tonë”, ka thënë Vishaj.

Visha ka treguar nëse vaksinat ekzistuese janë efektive ndaj variantit të ri të koronavirusit i cili ka marrë hov.

“Të gjitha vaksinat që ne i kemi në dispozicion në vendin tonë janë efikase në parandalimin e përhapjes dhe imunizimin e popullatës në përgjithësi, qoftë ndaj variantit që është prezent tani ashtu edhe ndaj varianteve të COVID-19 që kanë qenë më herët”, tha ai në Klan Kosova.

Drejtuesi i Klinikës Infektive ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen pa asnjë hezitim – si me Pfizer, ashtu edhe me AstraZeneca.

“E vetmja mënyrë që skenarët e këqija të mos ndodhin është vaksinimi i popullatës. Në vendin tonë ka filluar vaksinimi masiv, dhe qytetarët nuk duhet ta kenë asnjë hezitim. Zgjidhja më e mirë është vaksinimi dhe atë vaksinimi me të gjitha llojet e vaksinave që i kemi, sepse që të gjitha janë vaksina të mira dhe të aprovuar nga agjencionet kredibile botërore dhe janë shumë efikase”.

Ai ka thënë se vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca, me të cilat po imunizohen kosovarët, janë të sigurta.

“Është e vërtetë se ka pasë hezitim, por mendoj që me kalimin e kohës hezitimi ka filluar të zvogëlohet dhe hiqet. Janë vaksina të sigurta. Ekziston një probalitet që mund të mpikset gjaku, por nëse analizojmë ato probaliteti është i njëjtë me atë që mund të aksidentohemi derisa shkojmë në shtëpi”.

Pse te disa persona ka reaksione pas vaksinimit e te disa të tjerë jo?

“Jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj ndaj një substance të huaj. Ka njerëz që janë alergjikë në polen, arrë, kikirikë ose të tjera, por jo të gjithë njerëzit kanë këto alergji. Është e pamundur që të gjendet një vaksinë ideale që te të gjitha njerëzit mos të ketë efekt anësor. Ato efekte janë minore në raport me dobinë çfarë e kanë – dobia është shumë më e madhe sesa një efekt anësor si dhembja në vendin e injektimit, temperaturë pak më e lartë ose molisje”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)