Si është regjimi ushqimor i të rinjve shqiptarë?

  • G.G /
  • 23 shtator 2021 - 08:19
Si është regjimi ushqimor i të rinjve shqiptarë?

Të rinjtë shqiptarë kanë një regjim ushqimor që nuk favorizon as shëndetin dhe as qëndrueshmërinë mjedisore. Këtë e tregon hulumtimi më i ri , i pari në llojin e vet, i botuar në revistën prestigjioze Britanike ‘British Journal of Nutrition’ të Cambridge University dhe The British Nutrition Society.

Aty janë përdorur të dhëna të studentëve të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Mjekësisë Tiranë e Universitetit Politeknik, dhe në bashkëpunim me Universitetin e Ghent-it në Belgjikë, është treguar se si regjimi ushqimor i të rinjve (studentëve) shqiptarë në Tiranë nuk i përafrohet standarteve të shëndetshme (sipas referencave të DASH dhe MED) dhe të qëndrueshme (nga pikëpamja mjedisore, sipas referencave të EAT-Lancet).

Në këto kohë Sindemie (=shumë pandemi të bëra së bashku): sëmundjet kronike, COVID-19, ndryshimi i klimës dhe sfidat aktuale ekonomike, është hequr vëmendja nga tema shumë të rëndësishme për shëndetin, ku veçoj atë të studentëve në Shqipëri.

Regjimi ushqimor i tyre, tregon për një mjedis të pafavorshëm nutricional dhe shfaq nevojën për rekomandime. Duhet të adresohemi te sfidat aktuale të ushqyerjes të të rinjve dhe pjesës tjetër të popullatës. Nevoja e hartimit të një udhëzuesi kombëtar të përditësuar dhe të bazuar në fakte, me të dhëna nga Shqipëria dhe për Shqipërinë është një sfidë urgjente dhe praktike.

Gjetja kryesore e këtij hulumtimit është se hapi i parë për të krijuar një regjim ushqyerje me sa më pak ndikim negativ mbi shëndet dhe mjedis, si dhe me më pak kosto, është përgatitja e ushqimit vetë në kushtet e banesës/shtëpisë/konviktit, etj. Një zgjidhje e qëndrueshme e afat-gjatë e propozuar në këtë botim është krijimi i mensave/restoranteve publike të dedikuara për studentët dhe me çmime të përshtatura për ta.

Kura më i mirë për parandalimin e sëmundjeve kronike është një stil jetese i shëndetshëm, i cili fillon me një ushqyerje të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Sfidat e tashme dhe të ardhme të vendit tonë, nuk mund të adresohen pa një armatë të shëndetshme dhe të mirë-ushqyer profesionistësh të së ardhmes – studentët shqiptarë! Studimi thekson rëndësinë dhe nevojën emergjente për krijimin dhe integrimin e infrastrukturës monitoruese dhe survejancës nutricionale dhe shëndetësore kombëtare për të rinjtë, dhe më tej, në Shqipëri, gjë e cila për momentin mungon (p.sh. nuk ka asnjë studim kombëtar mbi kompozimin nutricional të regjimit ushqimor së shqiptarëve). Kjo do të ndihmojë në identifikim dhe adresimin e sfidave nutricionale dhe shëndetësore.

Zhvillimi i shëndetit të tyre dhe i vendit tonë fillon me krijimin e njohurive dhe zhvillimin e kërkimit shkencor, mbi faktorët që përcaktojnë gjendjen shëndetësore.  Aktualisht nevojiten hulumtime të cilat ndihmojnë që Dekada e Aksionit ndaj Nutricionit e Kombeve të Bashkuara (2016-2025) të jetë një dekadë e suksesshme edhe për Shqipërinë: pa kequshqyerje, në të gjitha format e saj dhe me një shëndet më të mirë, që është e drejtë themelore e çdo shqiptari!

Në vitin 2018 u bë një apel i ngjashëm, përmes hulumtimit në revistën e mirënjohur Amerikane ‘PLoS ONE’ (e gjeni këtu), ku tregonte se ushqyerja e studentëve ishte jashtë standarteve dhe kishte nevojë për ndërhyrje të personalizuara për ta.

(Kosova Sot Online)