Varianti ‘Delta plus’ i koronavirusit: Çfarë dihet deri më tani rreth evoluimit të virusit?

  • G.G /
  • 25 October 2021 - 12:27
Varianti ‘Delta plus’ i koronavirusit: Çfarë dihet deri më tani rreth evoluimit të virusit?

Variantit delta plus, është identifikuar nga shkencëtarët britanikë muajin e kaluar.

Për shkak se nuk është një variant interesi apo shqetësimi, ai ende nuk është emëruar zyrtarisht sipas një shkronje të alfabetit grek, si variantet e tjera shqetësuese Alfa, Beta, Gama dhe Delta.

Shkencëtarët po monitorojnë variantin e lidhur me deltën – i njohur si AY.4.2. – për të parë nëse mund të përhapet më lehtë ose të jetë më vdekjeprurës se versionet e mëparshme të koronavirusit.

Në një raport të fundit, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar thanë se ky variant përbën 6% të të gjitha rasteve të analizuara të COVID-19 në vend dhe është “në një trajektore në rritje”.

Varianti ka dy mutacione në proteinën gjembore, e cila ndihmon që koronavirusi të pushtojë qelizat e trupit. Këto ndryshime janë parë edhe në versione të tjera të virusit që nga fillimi i pandemisë, por nuk kanë shkuar shumë larg, tha Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës në University College London.

Varianti Delta mbetet “varianti më dominues për sa i përket qarkullimit global”, tha Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për çështjet rreth COVID-19, në një seancë publike këtë javë.

“Delta është mbizotëruese, por gjithashtu po evoluon”, tha ajo, duke shtuar se sa më shumë të qarkullojë virusi, aq më të mëdha janë shanset që ai të ndryshojë.

Agjencia shëndetësore e OKB-së aktualisht po gjurmon 20 variacione të variantit Delta.

AY.4.2 është “një për t’u parë sepse ne duhet të monitorojmë vazhdimisht se si po ndryshon ky virus,” tha Van Kerkhove.

Në SHBA, varianti Delta përbën pothuajse të gjitha rastet e COVID-19. Varianti më i ri “delta plus” është parë ‘me raste’, por nuk është ende një shqetësim – thanë zyrtarët shëndetësorë.

(Kosova Sot Online)