Testi i thjeshtë që zbulon se sa e fortë është zemra juaj

  • A.P /
  • 21 November 2021 - 09:23
Testi i thjeshtë që zbulon se sa e fortë është zemra juaj

Testi i shkallëve është një mënyrë e thjeshtë për të vlerësuar gjendjen e zemrës sonë, thotë kardiologu spanjoll Dr. Jesus Peteiro. Disa studiues kishin për qëllim krijimin e një testi të besueshëm për kontrollin paraprak të shëndetit kardiovaskular, rezultati i të cilit do të çonte në një vlerësim të mëtejshëm.

Fillimisht, ata vlerësuan gjendjen fizike të 165 pjesëmarrësve me sëmundje koronare të zemrës duke u kërkuar atyre të ecin dhe më pas të vrapojnë me shpejtësi deri sa të lodhen. Gama e tyre e qëndrueshmërisë u vlerësua në ekuivalentët metabolikë (MET).

Ekuivalenti metabolik është njësia matëse e konsumit të oksigjenit gjatë aktivitetit fizik (një MET është e barabartë me 3.5 ml oksigjen për kilogram në minutë). Pjesëmarrësit pushuan për 15-20 minuta dhe më pas iu kërkua të ngjisnin 60 shkallë me një ritëm të shpejtë pa u ndalur.

Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit që ngjitën 60 shkallë në 40-50 sekonda dhe kishin arritur më shumë se 9-10 MET ishin në gjendje më të mirë.  Në të kundërt, pacientët që i ngjitën shkallët në 90 sekonda kishin shënuar më pak se 8 MET në testin e lodhjes. Pra, ata nuk kishin qenë në gjendje të rrisnin shumë intensitetin dhe performancën e vrapimit. 


(Kosova Sot Online)