“Lodhje ekstreme”, këto janë simptomat e variantit Omicron

  • A.P /
  • 01 December 2021 - 18:53
“Lodhje ekstreme”, këto janë simptomat e variantit Omicron

Omicron – varianti me emrin e alfabetit grek u zbulua ditë më parë në Afrikën e Jugut. Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa pret një valë të katërt korone në javët e ardhshme.

Ndërkohë rastet e variantit të ri Omicron janë konfirmuar në disa vende. Në Holandë 61 vetë e sollën virusin nga Afrika e Jugut, tek 10 prej tyre është diagnostikuar varianti Omicron.

Edhe në Australi, Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Britaninë e Madhe, Izrael, Itali, Kanada, Austri dhe Çeki janë identifikuar raste me Omikron. Shumë vende kanë ashpërsuar masat duke vendosur kufizime udhëtimi. Presidenti i Afrikës së Jugut e kritikoi këtë duke e cilësuar si “diskriminim të padrejtë të vendit tonë dhe vendeve simotra.”

Por cilat janë simptomat që shfaqen tek të infektuarit me Omicron?

Në lidhje me simptomat që tregon varianti i ri, Omicron, drejtuesja e Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut, SAMA dhe mjekja afrikano-jugore Angelique Coetzee u shpreh për agjencinë e lajmeve, AFP se shumë nga pacientët e saj me Omicron tregojnë simptoma të pazakonta, por të lehta. Tek shumica e të prekurve bëhet fjalë për meshkuj nën moshën 40 vjeç që ankohen për “lodhje ekstreme”. Kurse për gazetën britanike “Telegraph”, Coetzee u shpreh me shqetësim, se personat e moshuar me sëmundje të tjera, Omicron mund t’i godasë rëndë.

Simptoma të tjera ishin dhimbje koke e lehtë, dhimbje trupi dhe gërvishtje fyti.

Ajo gjithashtu u shpreh se ndryshe nga varianti Delta, pacientët deri më tani nuk kanë raportuar humbje të shijes apo nuhatjes. Gjithashtu nuk pati rënie të madhe të niveleve të oksigjenit.

(Kosova Sot Online)