Omicron përkeqëson situatën! Dy ilaҫet kryesore të COVID-19 mund të mos kenë efekt

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 08:05
Omicron përkeqëson situatën! Dy ilaҫet kryesore të COVID-19 mund të mos kenë efekt

Ndërsa spitalet e tejmbushura amerikane po përgatiten për një tjetër rritje të rasteve të COVID-19 të shkaktuara nga varianti Omicron, i cili po përhapet shumë shpejt, mjekët paralajmërojnë për një sfidë tjetër: dy ilaçet standarde që ata kanë përdorur për të luftuar infeksionet kanë gjasa të mos kenë efekt kundër variantit të ri.

Për më tepër se një vit, ilaçet e antitrupave nga Regeneron dhe Eli Lilly kanë qenë trajtimet më të përdorura për fazat e para të infektimit me COVID-19, falë aftësisë së tyre për të shmangur sëmundjen e rëndë dhe për t’i mbajtur pacientët jashtë spitalit.

Por të dy prodhuesit e ilaçeve paralajmëruan kohët e fundit se testimet laboratorike kanë treguar që terapitë e tyre do të kenë shumë më pak efekt kundër Omicron, i cili përmban dhjetëra mutacione të cilat e bëjnë më të vështirë për antitrupat që të sulmojnë virusin. Kompanitë thonë se mund të zhvillojnë së shpejti antitrupa të rinj që targetojnë Omicron, por ato nuk pritet që të jenë gati për të paktën disa muaj.

Një antitrup i tretë nga prodhuesi britanik i barnave GlaxoSmithKline mund të jetë më i miri për të luftuar Omicron. Por, ilaçi i Glaxo nuk është gjerësisht i disponueshëm në SHBA, sepse përbën vetëm një pjesë të vogël të miliona dozave të blera dhe të shpërndara nga qeveria federale. Zyrtarët e shëndetit në SHBA tani po kufizojnë furnizimet me barna për shtetet e federatës.

“Mendoj se do të ketë mungesa,” tha Dr. Jonathan Li, drejtor i Laboratorit të Specialitetit të Virologjisë Harvard/Brigham. “Ne tani kemi vetëm një antitrup monoklonal të autorizuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave” për Omicron, për shkak të reduktimit të efektivitetit të barnave Regeneron dhe Lilly.

Varianti Delta ende përbën më shumë se 95% të rasteve të vlerësuara në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Por, drejtuesit e agjencisë thonë gjithsesi se Omicron po përhapet më shpejt se çdo variant i mëparshëm dhe do të bëhet varianti dominues në mbarë vendin brenda pak javësh.

Antitrupat që merren me injeksion ose infuzion janë versione laboratorike të proteinave njerëzore që ndihmojnë sistemin imunitar të luftojë viruset dhe infeksione të tjera.

Ilaçi i Glaxo, i zhvilluar me Vir Biotechnology, u formulua në mënyrë specifike për t’u lidhur me një pjesë të virusit që ka më pak gjasa të pësojë mutacione, sipas kompanive prodhuese. Studimet e hershme të Omicronit të simuluar në laborator nga prodhuesit e barnave dhe studiues të jashtëm tregojnë rezultate premtuese.

Furnizimi me këtë medikament është “jashtëzakonisht i kufizuar dhe dozat shtesë të produktit nuk do të jenë të disponueshme deri në javën e parë të janarit”, tha Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA në një deklaratë të postuar në internet.

Pas ndalimit të shpërndarjes muajin e kaluar për të ruajtur disa rezerva, Departamenti i Shëndetësisë tani po dërgon 55,000 doza të ilaçit, të quajtur sotrovimab, në departamentet shtetërore të shëndetësisë. Dozat do të mbërrijnë që të martën, ndërsa priten 300,000 të tjera në janar.

Agjencia tha se po e shpërndan ilaçin nëpër shtete bazuar në nivelet e tyre të infeksioneve dhe të shtrimeve në spital.

Departamenti i Shëndetësisë rekomandon që shtetet ta ruajnë ilaçin vetëm për pacientët me rrezikshmëri më të lartë, të cilët kanë më shumë gjasa të kenë infeksione Omicron, ose bazuar në testimet laboratorike që mund të identifikojnë variantin apo nivelet e larta të përhapjes së Omicron në komunitetet lokale, të identifikuara në masën 20% ose më shumë.

Pacientët me rrezikshmëri të lartë përfshijnë të moshuarit dhe ata me probleme serioze shëndetësore, të tilla si obeziteti, sëmundjet e zemrës, diabeti dhe çrregullimet e sistemit imunitar.

Përpara ndalimit të dërgesave, ilaçi i Glaxo përbënte rreth 10% të 1.8 milionë dozave me antitrupa të shpërndara te zyrtarët shtetërorë të shëndetësisë, nga mesi i shtatorit deri në fund të nëntorit, sipas shifrave federale.

Glaxo, me qendër në Londër, thotë se është në rrugën e duhur për të prodhuar 2 milionë doza deri në maj, sipas kontratave me SHBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe disa vende të tjera. Kompania po punon për të shtuar kapacitetet prodhuese vitin e ardhshëm.

Mungesa e efektivitetit të dy terapive kryesore me antitrupa e vë akoma më shumë fokusin te disa pilula antivirale të shumëpritura që agjencitë rregullatore amerikane mendohet se do t’i autorizojnë së shpejti.

Ilaçet nga Pfizer dhe Merck do të ishin trajtimet e para që amerikanët mund të marrin në shtëpi për të shmangur sëmundjen e rëndë. Ilaçi i Pfizer-it në veçanti ka treguar një efekt të fuqishëm, duke frenuar shtrimet në spital dhe humbjet e jetëve me gati 90% te pacientët me rrezikshmëri të lartë.

“Nëse përhapet në mënyrë efektive, kjo ka një potencial vërtetë të madh,” për të kompensuar trajtimet me antitrupa, tha Andrew Pekosz, virolog në Universitetin Johns Hopkins. “Kjo është një hapësirë e menjëhershme ku këto antiviralë mund të minimizojnë ndikimin e Omicron.”

Megjithatë, furnizimet fillestare të të dy barnave pritet të jenë të kufizuara.

Sasia në rënie e trajtimeve ndaj Covid-19 është një kujtesë e dhimbshme se virusi vazhdon të jetë në epërsi në SHBA, edhe pse mbi 200 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht.

Shkencëtarët në mbarë botën po përpiqen të kuptojnë Omicron, duke përfshirë faktin nëse ai shkakton sëmundje më pak apo më shumë të rëndë, si dhe sa lehtë mund t’i shmanget ai mbrojtjes imunitare të fituar nga infeksioni i mëparshëm, vaksinimi dhe ilaçet e antitrupave.

“Ne sigurisht që do të kemi rritje të shtrimeve në spital,” tha Dr. James Cutrell i Qendrës Mjekësore Jugperëndimore të Universitetit të Teksasit. “Nëse kemi mungesë të antitrupave, kjo sigurisht do të bëjë që shumë më tepër pacientë të kenë nevojë të shtrohen në spital.”

(Kosova Sot Online)