Sa i rrezikshëm është varianti i ri i Covid-19

  • A.P /
  • 06 January 2022 - 16:04
Sa i rrezikshëm është varianti i ri i Covid-19

Shkencëtarët janë ende duke ekzaminuar një variant të ri të Covid-19, të zbuluar për herë të parë në Francën jugore vitin e kaluar, për të përcaktuar nëse ai mund të bëhet një variant “shqetësues” në të njëjtën mënyrë si mutacioni Delta dhe Omicron, raporton independent.

Megjithatë, analizat e deritanishme të ekspertëve tregojnë se aktualisht ky variant nuk është për t’u shqetësuar.

I quajtur jozyrtarisht IHU – si një shenjë drejtuar grupit të studiuesve nga instituti “IHU Mediterranee Infection”, në Marsejë, të cilët po e studiojnë  atë, varianti i ri B.1.640.2 ka infektuar deri më tani 12 persona që jetojnë në juglindje të Francës

Rasti i parë i IHU ishte i lidhur me dikë që kohët e fundit kishte udhëtuar në Kamerun, Afrikën perëndimore, për një udhëtim tre-ditor. Kështu tha grupi i shkencëtarëve në një punim në lidhje me gjetjet e tyre, i cili u botua në faqen e internetit medRxiv .

Përveç 12 rasteve të infektuara, aktualisht nuk ka asnjë rast tjetër të njohur të variantit IHU, i cili u regjistrua për herë të parë në bazën e të dhënave të gjurmimit të variantit GISAID më 4 nëntor.

Në analizën e tyre, autorët e përshkruan atë si “një variant të ri me origjinë kameruniane”, megjithatë nuk dihet ende se nga erdhi në të vërtetë IHU.

Çfarë është unike për variantin e ri?

Derisa variante të reja të Covid-19 po përhapen gjatë gjithë kohës, ekspertët thanë se ky variant është i veçantë për faktin se ka 46 mutacione – të cilat mund ta bëjnë atë më rezistent ndaj vaksinave që aktualisht po administrohen.

Autorët shtuan në analizën e tyre se mutacionet nuk ishin vërejtur në vende të tjera dhe se personi që u identifikua për herë të parë me IHU ishte plotësisht i vaksinuar kundër Covid.

Në studimin që po rishikohet edhe më tej, u zbulua gjithashtu se proteina spike e variantit të ri mbart 14 zëvendësime të aminoacideve, duke përfshirë N501Y dhe E484K.

Shumica e vaksinave që përdoren në mbarë botën janë të shënjestruara në proteinën e majës së Sars-CoV-2 – virusi që shkakton Covid-19 – dhe të dy mutacionet N501Y dhe E484K janë gjetur më parë në variantet Beta, Gamma, Theta dhe Omicron.


(Kosova Sot Online)