Pjeshkat, të mira për zemër dhe lukth

  • E.K /
  • 07 January 2022 - 11:24
Pjeshkat, të mira për zemër dhe lukth

Të lëngshme dhe të shijshme, të pasura me vitamina dhe minerale, pjeshkat në përsosmëri përshtaten me menynë verore. Sipas vlerave ushqyese dhe shëruese, zënë vendin e tretë, menjëherë pas mollëve dhe dardhëve. Janë të pasura me kalium, fosfor, magnez, kalcium, squfur, klor, natrium, hekur, bakër dhe zink. Prej vitaminave janë të pasura me betakarotinë (provitaminë A) dhe me vitaminat C, E, H, B1, B2, B3 dhe B9. Pos kësaj, përmbajnë edhe karbohidrate, proteina, acide të pemëve dhe niseshte. Shkaku i kaliumit dhe natriumit në masën 7 me 1, sidomos ju sugjerohen personave që kanë probleme me ënjtje dhe pagjakësi.

Lëngu i shtrydhur nga pjeshka e freskët është ideal për personat me sistem të ndjeshëm nervor, si dhe ata me aritmi në zemër, derisa personat që vuajnë nga diabeti dhe alergjitë duhet ta shmangin. Sugjerohet për përmirësimin e mëlçisë dhe lukthit, e që efekti të jetë sa më i mirë, duhet ta konsumoni ngadalë. Vaji i fituar me shtypjen e bërthamës së pjeshkës, po ashtu vlerësohet shkaku i vetive shëruese, e është treguar i shëndetshëm për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm. Ndikon si laksativ, ul kolesterolin, ndihmon në shërimin e ekzemës. Pasi përmban minerale dhe vitamina, sugjerohet për lëkurën e ndjeshme.

(Kosova Sot Online)