Studimi: Meshkujt më të gjatë se 1.75 cm kanë 3 rreziqe më shumë për shëndetin

  • E.K /
  • 25 June 2022 - 12:03
Studimi: Meshkujt më të gjatë se 1.75 cm kanë 3 rreziqe më shumë për shëndetin

Në të kaluarën, disa studime kanë argumentuar se të qenit më i gjatë se mesatarja duket të jetë i lidhur me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës, hipertensionin dhe kolesterolin e lartë. Një lidhje kurioze midis gjatësisë dhe shëndetit, e cila tani rikthehet, por në të kundërt.

Një studim i publikuar së fundi thotë që meshkujt më të gjatë se 1.75 metra kanë më shumë gjasa të kenë probleme shëndetësore, që synojnë sistemin venoz dhe ekstremitetet.

Studiuesit nga Programi “VA Million Veteran”, një nismë e qeverisë amerikane e krijuar për të kuptuar faktorët që ndikojnë mbi shëndetin, ekzaminuan të dhënat gjenetike dhe mjekësore të më shumë se 280.000 të rriturve, kryesisht meshkuj (91%) dhe femra (73%).

Në fund u zbulua se gjatësia mbi mesataren duket se lidhet me një sërë përfitimesh shëndetësore për trupin, por edhe me disa rreziqe.

RREZIQE SHËNDETI PËR ATA MË TË GJATË SE 1.75 M

Të qenit më i gjatë se 1.75 m do të sillte (kushtëzimi është i domosdoshëm) një rrezik më të lartë për të qenë viktimë e çrregullimeve të tilla si neuropatia periferike (dëmtimi i nervave të duarve ose këmbëve). Kjo, sipas studiuesve, mund të jetë për shkak se më shumë masë trupore përfundon duke ushtruar më tepër presion mbi kockat, muskujt dhe këmbët. Por, në realitet duhen më shumë studime për të treguar se kjo është pikërisht arsyeja.

Jo vetëm kaq: gjatësia mbi mesataren duket gjithashtu e lidhur me një rrezik më të madh të problemeve të qarkullimit, të tilla si mpiksja e gjakut ose venat me variçe.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, infeksionet e lëkurës dhe kockave duke përfshirë celulitin, ulcerat e këmbëve dhe kërpudhat e thonjve do të gjenin gjithashtu më shumë prova te njerëzit më të gjatë.

PËRFITIMET SHËNDETËSORE TEK ATA MBI 1.75 M

Lajmi i mirë është se gjatësia mbi 1.75 m, sipas të dhënave nga programi “VA Million Veteran”, gjithashtu duket se lidhet me një rrezik më të ulët të problemeve të zemrës. Sipas studiuesve, individët e anketuar që tejkaluan këtë prag duket se kishin mbrojtje më të madhe nga disa sëmundje të zemrës dhe sëmundjet e arterieve koronare.

Të qenit më i gjatë se mesatarja do të shoqërohej gjithashtu me një rrezik më të ulët të hipertensionit dhe kolesterolit të lartë, faktorë të njohur rreziku për goditje në tru dhe sulm në zemër.

KONKLUZIONET

Sipas studimit, i cili u fokusua te meshkujt e bardhë (prandaj nuk mund të përgjithësohet), në të ardhmen gjatësia mund të merret në konsideratë nga mjekët si një faktor rreziku i rëndësishëm për disa sëmundje. Por përpara se të ndodhë kjo, nevojiten më shumë kërkime për të lejuar shkencëtarët të kuptojnë se si të qenit më i gjatë apo më i shkurtër ndikon në shëndetin e zemrës dhe jo vetëm.

(Kosova Sot Online)