Pesë zakone që kontribuojnë në shëndet të dobët të syve

  • A.P /
  • 26 June 2022 - 09:36
Pesë zakone që kontribuojnë në shëndet të dobët të syve

Një grumbull faktorësh, duke përfshirë gjenetikën, moshën dhe stilin tuaj të jetesës, mund të ndikojnë në shikimin tuaj. Derisa njerëzit mund të korrigjojnë shikimin e tyre duke marrë vetëm një palë syze ose lente kontakti, ata priren të injorojnë hapat e tjerë që janë thelbësorë për t’u kujdesur për shikimin e tyre.

Është e lehtë të zhvillohen zakone të këqija që mund të kontribuojnë në shikimin e dobët, në këtë kohë kur jeni të rrethuar nga ekranet. Sipas një raporti të OBSh-së, të paktën 2.2 miliardë njerëz në mbarë botën, kanë një dëmtim të shikimit nga afër ose në distancë. Në të paktën 1 miliard, ose pothuajse gjysmën e këtyre rasteve, dëmtimi i shikimit mund të ishte parandaluar ose ende nuk është adresuar.

Më poshtë gjeni disa raste kur ju mund të dëmtoni shikimin tuaj.

Përdorimi i tepërt i smartfonëve – Telefonat inteligjentë mund të tendosin shikimin dhe të shkaktojnë probleme me shikimin, nëse i përdorni për orë të tëra në ditë, veçanërisht nëse përpiqeni të lexoni shumë shpesh tekste të vogla në ekranet e telefonit tuaj celular. Ashtu si telefonat inteligjentë, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj ekraneve të laptopëve, gjithashtu mund të dëmtojë sytë tuaj, pasi drita e emetuar nga këto ekrane mund të shkaktojë tharje të syve, dhimbje koke dhe lodhje të syve. Ekspozimi i tepërt ndaj ekraneve mund të shkaktojë shikim të paqartë.
Pirja e duhanit – Ndonëse ka shumë arsye që nuk duhet të pini duhan, duke përfshirë rritjen e rrezikut të kancerit të fytit dhe mushkërive, ju duhet të keni kujdes, pasi mund të shkaktojë edhe probleme me shikimin. Pirja e cigareve dhe formave të tjera të duhanit, është e lidhur me sëmundje serioze si degjenerimi makular dhe katarakti, që mund të çojnë edhe në verbëri.
Mos mbajtja e syzeve të diellit –Nëse nuk mbani syze dielli rregullisht ndërsa dilni jashtë, atëherë ju po i ekspozoni sytë tuaj ndaj rrezeve ultravjollce. Këto rreze të dëmshme mund të shkaktojnë probleme me shikimin, si dhe të shkaktojnë probleme të tjera të shikimit, si degjenerimi makular dhe kanceri i syve. Edhe nëse mbani lente kontakti, syzet e diellit mund të veprojnë si një pengesë midis syve tuaj dhe ajrit të jashtëm, i cili mund të jetë i ngarkuar me ndotës të dëmshëm.
Fërkimi i shpeshtë i syve – Duhet të shmangni tundimin e fërkimit të syve, pavarësisht se sa shumë dëshironi ta bëni këtë. Arsyeja është se ju mund të dëmtoni sipërfaqen e jashtme të syve tuaj, duke shkaktuar ndjesi pickimi dhe djegieje, përveç përhapjes së papastërtive dhe baktereve në sytë tuaj. Fërkimi i shpeshtë i syve mund të shkaktojë gjithashtu dobësimin e kornesë, gjë që mund të shkaktojë përkeqësim të pakthyeshëm të shikimit.
Përdorimi i pikave të syve pa konsultimin e mjekut – Njerëzit e kanë zakon të përdorin pika për sy pa u konsultuar me mjekun e tyre. Përdorimi i tepërt i pikave të syve pa konsultimin e duhur, mund të dëmtojë sytë tuaj. Nëse sytë ju duken të kuq, atëherë mos u frikësoni dhe hidhni pika, pasi skuqja e syve është shumë e zakonshme pas një nate pa gjumë ose orëve të gjata të punës.

(Kosova Sot Online)