Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat?

  • E.K /
  • 21 July 2022 - 10:59
Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat?

Shkencëtarët kanë zbuluar të dhëna të reja që mund të shpjegojnë pse meshkujt zakonisht nuk jetojnë aq gjatë sa femrat. Të dhënat kërkimore sugjerojnë se kjo lidhet me humbjen e kromozomit Y, i cili mund të shkaktojë dëmtim të muskulit të zemrës dhe mund të çojë në vdekje të parakohshme.

Kromozomet janë një grup ADN-je në çdo qelizë që vjen çift. Gratë kanë dy kromozome X, ndërsa burrat kanë një kromozom X dhe Y.

Profesori Kenneth Walsh, nga Universiteti i Virxhinias, tha: “Veçanërisht pas moshës 60 vjeç, burrat vdesin më shpejt se gratë. Është sikur ata biologjikisht plaken më shpejt. Ky hulumtim i ri ofron të dhëna se pse meshkujt kanë jetëgjatësi më të shkurtër se femrat”.

Shumë meshkuj fillojnë të humbasin kromozomin e tyre Y në një pjesë të qelizave ndërsa plaken, diçka që duket të jetë veçanërisht e zakonshme për duhanpirësit, transmeton tvklan. Shkencëtarët më herët kishin zbuluar se burrat që vuajnë nga humbja e kromozomit Y kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje të lidhura me moshën, si Alzheimer.

Studimi i ri besohet të jetë prova e parë e fortë se humbja e kromozomeve shkakton drejtpërdrejt efekte të dëmshme për shëndetin e meshkujve. Shkencëtarët zbuluan se me rritjen e humbjes së kromozomeve, rritej edhe rreziku i vdekjes.

(Kosova Sot Online)