Mullqi: Nacionalizmi, gurthemel për një shtet të fortë të shqiptarëve në Ballkan
Skender Mulliqi
--- Duke afirmuar tezën e shtetit kombëtar, shqiptarët e kthejnë shqiptarizmin në vlerat e tij morale të synuara, të bazuara në demokraci, drejtësi dhe liri. Ky është gurthemel për një shtet të fortë të shqiptarëve në Ballkan…
Nga Skënder MULLIQI
Deri më sot, thirrja për unitet nuk duket afër si faktor i rëndësishëm për zhvillim dhe prosperitet. Të jesh nacionalist në kuptimin pozitiv të fjalës nuk është e lehtë. Nacionalistët, në përgjithësi, i gjurmojnë rrënjët e tyre kombëtare në kohët e kaluara, por edhe sot ekziston një konsensus i plotë midis studiuesve se kombet dhe revolucionet kombëtare, që çuan në formimin e shteteve kombëtare, janë në fakt një fenomen modern.
Shqiptarët nuk duhet të turpërohen për këtë, por të krenohen. Duke afirmuar tezën e shtetit kombëtar, shqiptarët e kthejnë shqiptarizmin në vlerat e tij morale të synuara, të bazuara në demokraci, drejtësi dhe liri. Kjo është gurthemel për një shtet të fortë të shqiptarëve në Ballkan.
Nacionalizmi i shprehur përmes një strategjie kombëtare zhvillimi krijon mundësi investimi për sipërmarrësit dhe e bashkon kombin. Kriza globale me luftëra e bën edhe më të domosdoshëm zbatimin në praktikë të ideve nacionaliste. Pa qenë nacionalistë, shqiptarët nuk kanë mundësi të arrijnë objektivat historike për bashkim kombëtar.
Shqiptarëve nuk u nevojiten regjime të cilat historikisht na kanë shkaktuar dëme të mëdha. Nacionalizmi është mënyra me të cilën një shoqëri vulos identitetin e saj dhe vendos qëllimet e saj. Nacionalizmi është reflektim; është vetëdije autentike e realitetit kombëtar.
Shqiptarëve, për t’i arritur këto synime, u nevojitet braktisja e logjikës komuniste, e cila ende nuk është çrrënjosur. Me idetë nacionaliste arrihen edhe objektivat autentike ekonomike, të biznesit dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Kjo e përforcon lidhjen reciproke midis kombit, shtetit dhe shtetit kombëtar.
Për shkak të konflikteve gjatë historisë, është ende gjallë nacionalizmi territorial, që u preferua në luftërat e Serbisë kundër ish-republikave të tjera në Jugosllavi. Ky nuk është nacionalizmi për të cilin e kemi fjalën, sepse ky është ultranacionalizëm agresiv i Serbisë ndaj popujve joserbë në vitet ’90 të shekullit të kaluar.
Nacionalizmi, në kuptimin pozitiv, siç e thashë edhe më lart, promovon interesat kombëtare, identitetin dhe trashëgiminë tonë historike, si dhe vlerat e luftës çlirimtare për një shtet sovran dhe të pavarur. Nacionalizmi-patriotizmi e konsolidon dhe e thekson sovranitetin.
Duhet të qëndrojmë qartësisht për një shtet kombëtar, por, për fat të keq, ka ende mjaft të tillë që shprehin qëndrime të ndryshme në këtë drejtim…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
